Leli refuzon ballafaqimin me këshilltarët, kërkon pezullimin nga detyra të sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit, anëtarët votojnë kundër tij dhe e konfirmojnë në detyrë

18 Qershor 2021, 11:49 | Përditesimi i fundit: 2021-06-18 16:32:58

Kryetares së Këshillit Bashkiak të Vlorës si dhe anëtarëve të këshillit bashkiak i ka ardhur një kërkesë ditën e djeshme nga bashkia e Vlorës për pezullimin nga detyra të sekretarit të Përgjithshëm të këshillit Bashkiak Agron Gjipali pasi ai ka mbushur moshën e pensionit.

Shkresa i kërkonte anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Vlorës të zgjedhin një sekretar të ri të përgjithshëm për t’i dhënë hapësirë moshës së re për t’u inkuadruar në bashki. Anëtarët e Këshillit bashkiak të Vlorës e konsiderojnë këtë gjë tendencioze sidomos tani që ka tensione midis palëve. Sipas tyre Këshilli bashkiak i Vlorës është i vetmi institucion i cili mund të shkarkoj Sekretarin e Përgjithshëm dhe të emëroj një të ri. Këshilli Bashkiak është gjithashtu i vetmi institucion i cili mund të zgjasë në detyrë sekretarin e përgjithshëm apo të emëroj një të ri.