Lezhë, banorët e lagjes ‘Spitali’ jetesë mes ujërave të zeza! Vërshojnë në rrugë, problematika prej 1 viti

13 Qershor 2021, 18:19

Prej më shumë se një viti banorët e lagjes ‘Spitali’ në Lezhë jetojnë mes ujërave të zeza që kanë vërshuar në rrugë. Sipas tyre problematika është shfaqur me nisjen e punimeve të rindërtimit të maternitetit të qytetit. Ndërsa pavarësisht ankesave ende nuk ka marrë zgjidhje kjo situatë.

Jetesa në lagjen e ‘Spitalit’ në qytetin e Lezhës është bërë mjaft e vështirë dhe e rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe dhe vërshuar në rrugët dhe rrugicat e kësaj lagje.

Kjo situatë vijon prej gati një viti, duke shkaktuar erë të rëndë dhe ndotje në këtë zonë. Banoret thonë se problematika është shfaqur me nisjen e punimeve për ndërtimin e maternitetit të qytetit. Pavarësisht ankesave në institucionet shtetërore, problemi sipas banorëve ende nuk ka marrë zgjidhje.