Lironte të dënuarit me burgim të përjetshëm, shkarkohet gjyqtarja Enkelejda Hoxha

17 Mars 2021, 14:37

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkelejda Hoxha, e cila akuzohet se ka shkelur detyrën në lirimin e disa të dënuarve. Vendimi është marrë para pak minutave dhe është komunikuar nga kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami. Gjyqtarja humb kështu me efekt të menjëhershëm statusin e gjyqtarit. 

Kujtojmë se dje në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani argumentoi shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.Gjyqtarja Enkelejda Hoxha, është edhe e arrestuar për korrupsion nga SPAKPak ditë më parë ajo  kërkoi që të dalë nga burgu, me argumentin se s’ka kush të kujdeset për fëmijët e saj. Gjyqtarja Hoxha u la në burg nga Gjykata e Apelit. Ajo u arrestua nga SPAK, pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar. Mes të dënuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi ekspert shëndetësor dhe avokati Aldo Tabaku të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë kriminale bënin lirimin e të dënuarve. Emri i gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë. Për të njëjtën çështje, ILD ka kërkuar edhe shkarkimin e prokurorit Bujar Memia, seanca për të cilin u zhvillua dje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe vendimi u shty për më 31 mars.