Lufta/ Rusia bombardon qytetin Sumy teksa besimtarët iknin në kishë për të Dielën e Dafinave, 21 viktima, 83 të plagosur! Zelensky: Vetëm një bastard mund ta bëjë këtë

13 Prill 2025, 12:34 | Përditesimi: 13 Prill 2025, 18:17

Një sulm i rëndë raketor rus ka goditur qytetin e Sumyt në verilindje të Ukrainës, duke lënë pas të paktën 21 të vdekur dhe 83 të plagosur. Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, bëhet fjalë për një “sulm të tmerrshëm me raketa balistike”, që ka goditur civilët në momentin kur ata po shkonin në kishë për të festuar të Dielën e Dafinave.

“Armiku ka goditur një rrugë të zakonshme qyteti, në një ditë kur njerëzit shkonin në kishë”, shkroi Zelensky në Telegram, duke e cilësuar këtë akt si një tjetër provë se Rusia është një shtet terrorist. Ai kërkoi një “përgjigje të fortë ndërkombëtare” dhe shtoi se “vetëm një bastard mund të bëjë diçka të tillë”.

Shërbimet e emergjencës ukrainase njoftuan se raketat goditën qendrën e qytetit në një moment kur rrugët ishin të mbushura me njerëz, përfshirë familje dhe besimtarë që po niseshin drejt kishave. Sumy, një qytet pranë kufirit me Rusinë, ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve gjatë javëve të fundit.

I.M/Shqiptarja.com