Luftar Reçi: Jam kërcënuar me jetë që të tërhiqja dëshminë! Përballja e tij me grupin e Emiljano Shullazit shtyhet në 3 prill

20 Mars 2023, 16:55 | Përditesimi i fundit: 2023-03-20 16:55:27

Ka përfunduar seanca e dëshmisë së Luftar Reçit në Gjykatën e Posaçme. Në këtë seancë Reçi iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe Gjykatës, e ndërsa në seancën e radhës do t’i përgjigjet pyetjeve të të pandehurve të tjerë dhe mbrojtësve të tyre. Seanca u zhvillua me syer të mbyllura, mirëpo nga sa Report Tv mëson, ai i ka qëndruar dëshmisë që ka dhënë në fazën hetimore. Para gjykatës Reçi ka dëshmuar se është kërcënuar me jetë që të tërhiqte dëshminë. Sipas tij, i pandehuri Viktor Imeri e ka kërcënuar duke i dërguar persona të ndryshëm gjatë kohës që ai ka qenë në burgun e Drenovës në formë presioni për të ndryshuar deklarimet e bëra prej tij përpara organit të akuzës.  Po ashtu ai pranoi se edhe të burgosur të tjerë i kanë thënë se do t’i vrasin familjarët në rast se nuk tërhiqet nga deklarimet e bëra.