Mahmutaj për Report Tv: Gjyqtarja Fetahu e lidhur me bandën e Çelës, porositi vrasjen e një gazetari! Zgjodhi rrugën më të pisët

27 Nëntor, 19:48

Gazetari Fatos Mahmutaj duke komentuar dosjen e Suel Çelës në Report Tv ndalet edhe tek rasti i ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe lidhjet e saj me këtë organizatë kriminale. Mahmutaj thotë se zgjidhi rrugën më të pisët të mundshme, aq sa porositi edhe vrasjen e një gazetari, referuar dosjes rasti i Saimir Kodrës.

"Kemi gjykatësen. Kam qenë gazetar i gjyqësorit. Gjykatës të tillë që tejkalojnë këto lloj caqesh burgun e kanë pak. Ajo zgjodhi rrugën më të pisët të mundshme, u kërkoi kriminelëve të Elbasanit, që dihet se kanë bërë krime. Janë varë dhjetëra njerëz si shkak i përplasjeve. U kërkoi ndihmë kriminelëve për të vrarë një gazetar dhe një avokat. Këta të dy i ka ruajtur zoti. Policinë e kishin kapur, gjykatën po, mediat talleshin, derisa arrinin të bënin edhe skaltetat e emisioneve qendrore të televizioneve në Shqipëri Ngriheshin dallgë në një gotë ujë dhe merreshin njerëzit gjithë ditën me këto lloj historish", tha Mahmutaj në Report Tv.