Manastirliu: Modeli i Autonomisë Spitalore, kryefjala e reformës në shëndetësi! Do të sigurojmë vaksinat antiCOVID për të gjithë popullatën e targetuar

16 Shtator 2021, 22:42

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në prezantimin e programit për shëndetësinë dhe mbrojtjes sociale, tha se programi i transformimit të shëndetësisë 2030, do të prekë të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor, duke theksuar se është koha të ridimensionohet çdo qelizë e sistemit shëndetësor.

“Zbatimi i Modelit të Autonomisë Spitalore do të jetë kryefjala e kësaj reforme. Do ta pilotojmë gjatë 2022, dhe deri në 2025 ky model do të jetë eksportuar në spitalet e tjera. Objektivi ynë është që spitalet tona publike të administrohen, sipas një sistemi që shpërblen mbi bazën e performancës. Një sistem që eleminon çdo abuzim dhe papërgjegjshmëri në kurriz të qytetarëve”, tha Manastirliu. 

Manastirliu në fjalën e saj tha se kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të infrastrukturës në gjitha rajonet, duke theksuar se brenda vitit 2025 do të kemi katër pole spitalore.

“Kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të tjera të infrastrukturës spitalore. Do të finalizojmë brenda këtij mandati projektet e mëdha të modernizimit të spitaleve universitare dhe rajonale. Do zgjerojmë kapacitetet në spitalet universitare dhe rajonale për të përballuar urgjencat kardio-vaskulare dhe cerebrale-vaskulare. Viti 2025 do ta gjejë tërësisht të rehabilituar infrastrukturën e të gjithë rrjetit të qëndrave shëndetësore dhe ambulancave në çdo cep të Shqipërisë”, bëri me dije Manastirliu.

Duke theksuar filozofinë e qeverisë së Partisë Socialiste, drejt mbulimit shëndetësor universal, duke e konsideruar shëndetin si një e mirë publike, Manastirliu bëri me dije angazhimin për financimin për shëndetësinë.

“Deri në vitin 2030, ne synojmë ta çojmë financimin publik për kujdesin shëndetësor, në 70% të shpenzimeve totale për shëndetësinë. Eshtë një objektiv ambicioz, por ne jemi të qartë dhe të vendosur: asnjë familje shqiptare nuk duhet të bjerë në varfëri, për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor”, u shpreh ministrja Manastriliu në fjalën e saj.

Ministrja e Shëndetësisë tha gjatë fjalës së saj se, programi i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale parashikon zgjerimin e programeve për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale.  Programi parashikon edhe krijimin e 10 qendrave model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio –shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë dhe kujdesin paliativ brenda 2024. 

Teksa ka vënë theksin ne sigurimin e aksesit periodik të shërbimit shëndetësor për qytetarët, Manastirliu tha se do të investohen ne modernizimin me tej të rrjetit të Urgjencës Kombëtare dhe do të ndërtohet Programi Kombëtar i mjekësisë së specializuar të lëvizshme, me qëllim që qytetarët në zonat më të thella të vendit të kenë akses periodik në shërbimin shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se siguria dhe cilësia e barnave që qarkullojnë në treg mbetet prioriteti i punës së strukturave të MSHMS, duke rritur gjithashtu alternativat dhe disponueshmërinë e barnave.  Gjithashtu Manastirliu bëri me dije se brenda këtij mandati do të ndërtohet Platforma e Integruar e Shëndetit që zgjeron sistemet e shëndetësisë elektronike, sistemet e përgjigjes ndaj epidemive, tele-konsultat, me qëllim përmirësimin e efiçencës së sistemit shëndetësor dhe reduktimin e barrierave gjeografike dhe financiare për përfituesit.
Duke u ndalur tek situata e pandemisë, Ministrja Manastirliu ka deklaruar se fokusi i mandatit të tretë qeverisës në këto sektorë, do të përqëndrohet në vaksinimin e popullatës së targetuar dhe mirëmenaxhimin e pasojave post-COVID.