Mashtronin turistët nëpërmjet lojërave me letra, duke iu marrë shuma të ndryshme parash, arrestohen 3 të rinjtë

21 Qershor 2021, 09:23 | Përditesimi: 21 Qershor 2021, 09:23

Mashtronin turistët nëpërmjet lojërave me letra, duke iu marrë shuma të ndryshme parash, arrestohen 3 të rinjtë. Në pranga kanë rënë Bruxhino Murati, Albi Xhixha dhe Klejdi Dusho. "Mashtronin turistët nëpërmjet lojërave me letra, duke iu marrë shuma të ndryshme parash, bien në prangat e Policisë 3 shtetas. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej të arrestuarve iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e krimeve që ndodhin kryesisht gjatë sezonit turistik, kanë vijuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare dhe në stacionet e autobusëve ku zbresin turistët. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë duke mashtruar një shtetas kosovar, shtetasit: B. M., 28 vjeç, A. Xh., 19 vjeç banues në Shijak dhe K. D., 19 vjeç, banues në Skrapar. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin lojëra me letra me turistët dhe përfitonin para prej tyre nëpërmjet mashtrimit. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A. Xh. iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Mashtrimi" kryer në bashkëpunim dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", njofton Policia.

r.k./Shqiptarja.com