Mbledhja e Kryesisë, Kadilli: Shpresoj që ndryshimet në Statut të bëhen realitet! Duhet një frymë ndryshimi, momentet e vështira janë dhe momente shprese

18 Qershor 2021, 13:36

Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli, në një deklaratë të shkurtër për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD, u shpreh se shpreson që ndryshimet në Statut të bëhen realitet që në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë, më 17 korrik.

Sipas Kadillit, PD ka nevojë për një frymë ndryshimi rrënjësor, ndërsa shtoi se momentet vështira që po kalon PD, duhen parë edhe si momente shprese dhe ndryshimi.

"Është ngritur komisioni i ndryshimeve statutore, është një proces që do kërkojë më tepër kohë. Shpresoj që ndryshimet statutore të bëhen realitet që në Kuvendin Kombëtar. Do të duhet një frymë, ndryshim mendësie, ndryshimi rrënjësor nuk është vetëm ndryshim në statut. Thelbi i propozimeve të mia, që një pjesë reflektohen në statut janë të qarta, demokratizim më i thellë i partisë, shpërthim i skemës së ngushtë që kemi për seksionet dhe mënyrën si funksionon struktura e partisë, duke krijuar hapësirë për çdo iniciativë politike, rishikimi i raporteve me organizata partnere dhe përcaktimin e kauzave kryesore, rishikimi Kodit Zgjedhor, i Kushtetutës dhe Reforma në Drejtësi, Këto përmban manifesti politik. Ekziston gatishmëria për ta ndryshuar dhe ringritur, momentet e  vështira duhen parë edhe si momente shprese dhe ndryshimi", tha Kadilli.