Mbyllet shtëpia e Kadaresë, do i nënshtrohet rikonstruksionit për t'u kthyer në muze! Gati në shkurt të 2022

5 Maj 2021, 13:52 | Përditesimi i fundit: 2021-05-05 15:57:42

GJROKASTËR- Banesa ku ka lindur gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare në lagjen Palorto, po i nënshtrohet një rikonstruksioni për t’u përshtatur në një muze. Deri më tani kjo shtëpi ka funksionuar me emrin si Banesa Kadare, ndërkohë që investimi i fundit në të, do t’i ndryshojë konceptin dhe destinacionin final. Bëhet fjalë për një muze që do të ketë të gjithë aksesorët e nevojshëm për t’iu përshtatur kohës dhe kërkesave të të interesuarve.

Muzeu Kadare, pritet të funksionojë si i tillë në shkurt të vitit të ardhshëm ku dhe korrenspondon me finalizimin e punimeve në të. Përmes një fondi prej 29.5 milionë lekësh të rinj nga Banka Botërore, Muzeu Kadare do të ndryshojë pamje sidomos në ambientet e brendshme ku do të përshtaten hapësirat dhe vënë në pah një pjesë të mirë të historisë së Kadaresë dhe sidomos, itinerarit ku shkrimtari i madh u insprirua për të shkruar romanin e tij “Kronikë në Gur”. Ndonëse është i mbyllur për vizitorët, mjaft prej tyre nga kurreshtja kanë guxuar të hyjnë në banesën Kadare.Për nënkryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Jorida Muho, nuk është vetëm kthimi në muze i banesës Kadare, por janë dhe dy objekte të tjera në fokusin e investimit siç është rruga “Sokaku i të marrëve” që është pranë banesës Kadare dhe Muzeu Etnografik.