Me 15 shtator mbrëmja gala në Teatrin e Operas, Ermonela Jaho: Jam shumë e lumtur! Placido Domingo: Gëzim i madh për mua të jem në Tiranë, ju

13 Shtator 2021, 08:39 | Përditesimi i fundit: 2021-09-13 11:33:56

TIRANË- 15 shtatori do të sjellë mbrëmjen gala ku do të ngjiten në skenën e rikonstruktuar të Teatrit të Operas dhe Baletit dy yjet botërorë, Ermonela Jaho dhe Placido Domingo.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë mesazhin e dy kolosëve të skenës operistike botërore, të cilët presin me entuziazëm hapjen e dyerve të teatrit pas rreth pesë vitesh.

Përshëndetje të gjithëve! Jam shumë e lumtur që të marr pjesë në hapjen e Teatrit tonë Kombëtar të Operas dhe Baletit, në mes të artistëve të mi bashkëkombës dhe me pjesëmarrjen e legjendës botërore Placido Domingo. Një falënderim i madh për të gjithë ata breza artistësh që kontribuuan në themelimin dhe krijuan traditën e këtij institucioni. Një falënderim i veçantë për ata qe ideuan dhe realizuan atë projekt. Kur punojmë të gjithë sëbashku drejt të njëjtit qëllim asgjë nuk është e pamundur! Ju pres të gjithë në datën 15 në Teatrin e Operas dhe Baletit, në galanë e hapjes së teatrit. Mirupafshim”, u shpreh Jaho.

“Të dashur miq në Tiranë. Jam i nderuar të këndoj në Ceremoninë e “Grand Gala” për inaugurimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Pas 5 vitesh ky teatër më në fund do të vijë në jetë dhe do të rikthehet për të mirëpritur performanca koncertale, opera dhe baleti. Është gëzim i madh për mua që të jem me ju për këtë mbrëmje speciale, me kolegë të mrekullueshëm. Shihemi me 15 shtator, për ta shijuar të gjithë sëbashku skenën e re pas rikonstruksionit të plotë”, tha Domingo.