Me shpejtësi deri në 186 km/h, policia gjobit 4.981 shoferë gjatë fundjavës, pezullon 186 patenta dhe arreston 43 shoferë

16 Gusht 2021, 17:29

Si rezultat i kontrolleve të policisë rrugore, gjatë fundjavës në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 43 drejtues pasi u konstatuan duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor. Përkatësisht, 17 prej tyre po drejtonin mjetet pa patentë, ndërsa 26 të tjerë ishin duke drejtuar makinën në gjendje të dehur.

Bëhet me dije se 125 patenta janë pezulluar pasi drejtuesit janë kapur me shpejtësi deri në 186 km/h në Bypass e Fierit dhe me mbi 185 km/h në aksin rrugor Sauk-TEG. Ndërsa, 55 shoferëve iu janë pezulluar patentat pasi kanë drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe 5 të tjera pasi shoferët kanë lëvizur në sens të kundërt.