Më shumë se 1 ditë pritje në kufi, lejohen të futen në atdhe 33 shqiptarë nga Greqia

3 Prill 2020, 12:53

Pas më shumë se 24 orësh pritje në kufi në tokën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë në Kakavijë, janë lejuar të futen në territorin tonë 33 qytetarë shqiptarë, nga 67 që pritën në brezin neutral prej orës 03:00 të mëngjesit të një dite më parë. Kalimi i tyre u bë falë autorizimit të dhënë nga ambasada shqiptare në Athinë, dhe lidhet pikërisht me nevojat e tyre për të qenë në Shqipëri dhe me kushtet jo të përshtatshme shëndetësore, si të moshuar e fëmijë. Ndërkohë pjesa tjetër e shqiptarëve, janë rikthyer në Greqi, edhe me vullnetin e tyre, pasi nuk kishin arsye të fortë për kthimin në atdhe siç e përcaktojnë procedurat e vendosura së fundi nga qeveria shqiptare lidhur me masat kufizuese ndaj COVID-19. Ndër të tjera, ata janë edhe persona me dy nënshtetësi apo leje qëndrimi.

Të gjithë shqiptarëve që u lejuan të futen në territorin tonë  u kishte skaduar afati i qëndrimit 90 ditor në zonën SHENGEN apo ishin në kufijtë e këtij afati. Megjithatë, qeveria ka deklaruar se askush nuk do të penalizohet për tejkalimin e afateve.