TIRANE-Kryeministri Edi Rama qetëson të gjithë shqiptarët që ndodhen në Greqi me leje 90 ditore (me pasaportë në Schengen) se nuk do të gjobiten nëse kalojnë afatin e qëndrimit për shkak se kufiri është mbyllur si pasojë e vendimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

"Miq që jeni në Greqi me leje 90 ditore! Qeveria greke nuk do t'ju penalizojë për shkelje të pavullnetshme të afatit si pasojë e mbylljes së kufirit! Kufiri është i mbyllur prandaj qëndroni pa lëvizur, mbroni veten dhe familjet tuaja" shkruan Rama.

Ndërkohë që ambasada greke në Tiranë konfirmon lajmin që njoftoi kryeministri dhe thekson se nuk pengojnë daljen e shqiptarëve nga Greqia. "Në lidhje me informacione konfuze që transmetohen prej  mediave shqiptare për vështirësi me të cilat përballen qytetarë  shqiptarë të cilët dëshirojnë të vijnë nga Greqia për në Shqipëri, Ambasada e Greqisë në Tiranë sqaron se absolutisht në asnjë rast  Autoritetet Greke nuk pengojnë daljen nga vendi të qytetarëve shqiptarë që dëshirojnë të hyjnë në Shqipëri nëpërmjet pikave  kufitare të kalimit Greqi - Shqipëri. Për më tepër, janë dekretuar amendime  të posaçme  që  parashikojnë  zgjatje të lejeve të qëndrimit  që skadojnë brënda afatit kohor gjatë të cilit janë në fuqi  masat e jashtëzakonshme" mbyllet njoftimi.