Mbi 80 emigrantë shqiptarë kanë mbetur në tokë neutrale në Kakavijë pa mundur të hyjnë dot në Shqipëri, pasi nuk kanë një autorizim nga ambasada shqiptare në Greqi, për të lejuar kalimin e tyre.

Mbyllja e kufijve ishte pjesë e masave të marra në luftën ndaj COVID-19, por këta shqiptarë kanë zgjedhur të vijë drejt atdheut edhe pse nuk kishin një leje të tillë. Kjo situatë ka sjellë reagimin e presidenti Meta, i cili kërkon bashkëpunimin dhe solidaritetin e qeverisë për të zgjidhur këtë problem, por u bëri dhe një apel qytetarëve që të shmangni lëvizjet në një situatë të tillë.

Ndërkohë që krejt e kundërta u pa nga kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili tha se kjo ishte një papërgjegjshmëri çnjerëzore që nuk lejon qytetarët të hyjnë në atdhe, a thua se po flasim për një kohë normale dhe jo në luftë me koronavirusin ku dhe vetë masat e marra duket të jenë të ashpra.

80 shqiptarë të ardhur nga Athina u bllokuan në doganën e Kakavijës në tokë neutrale prej orëve të para të ditës së sotme. Në mbrëmje një pjesë që kanë pasaporta greke filluan të rikthehen në vendin fqinj, ndërsa pjesa tjetër që nuk kanë duhet të vijojnë që të presin pasi pa kaluar 24 orë nuk mund të vulosin për t'u rikthyer pas. Emigrantët nuk lejohen që të futen në territorin tonë pasi nuk janë të pajisur me autorizimin përkatës nga konsullata për shkak të situatës nga koronavirusi.

Kufiri me Greqinë është i bllokuar tërësisht dhe nuk lejohet asnjë kalim nëse nuk kanë leje përkatëse. Në Kakavijë lejohet vetëm kalimi i kamionëve dhe furgonëve që transportojnë mallra ushqimore, medikamente e mallra spitalore.

Mbrëmjen e djeshme në Kakavijë pas 16 orësh pritje u lejuan që të futen 30 shqiptarë, ndërsa 10 u kthyen, por sot nuk u hap kufiri. Athina zyrtare ka mbyllur kufijtë në hyrje, por jo në dalje. Ambasada greke në Tiranë njoftoi se shqiptarët që duan të kthehen nuk do të pengohen, ndërsa ata që duan të qëndrojnë dhe u kalon afati 90 ditor i qëndrimit nuk do të gjobiten (lexo ketu).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:17
Basha kundër masave COVID-19, sulmon qeverinë: Çnjerëzore, emigrantët të lejohen të kalojnë menjëherë

Mbetja e emigrantëve shqiptarë në Kakavijë të pa autorizuar nga Ambasada për të hyrë në Shqipëri, është cilësuar dramatike dhe papërgjegjshmëri çnjerëzore nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai kërkon që qeveria të lejojë kalimin e tyre, nën arsyetimin se asnjë shtet në botë nuk ndalon qytetarët të hyjnë në atdheun e  tyre.    

“Situata e qytetarëve shqiptarë në pikat e kalimit të kufirit është dramatike dhe kërkon ndërhyrje urgjente. Qeveria të lejojë kthimin menjëherë në shtëpi të qytetarëve që prej 48 orësh mbahen peng në rrugë në pikat e kalimit të kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë e Malit të Zi. Braktisja e qytetarëve është papërgjegjshmëri çnjerëzore. Asnjë shtet në botë nuk pengon qytetarët e vet të futen në atdheun e tyre dhe të shkojnë në shtëpinë e tyre”, shkruan Basha.

Duket se kreu i PD nuk ka kuptuar se kufijtë janë mbyllur si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen koronavirusit dhe se qeveria disa herë përmes deklaratave por dhe ambasadat shqiptare në vendet përkatëse kanë lajmëruar qytetarët shqiptarë jashtë se do të lejohen të kalojnë vetëm ata që kanë marrë lejen nga ambasadat dhe kanë autorizimin. Ndërkohë që në ansjë rresht të deklaratës së tij nuk u bëhet apel qytetarëve që të shmangnin lëvizjet në një situatë kur kufijtë janë mbyllur dhe pa u telefonuar nga ambasadat që të lejojnë kalimin e tyre.

Ora 20:41
Emigrantët bllokohen në Kakavijë, burime për Report TV: Asnjë nuk kalon pa autorizim

1585852934_emigrant1.jpg

Asnjë shtetas nuk do të kalojë kufirin drejt Shqipërisë në rast se nuk ka kontaktuar më parë me ambasadën shqiptare në Greqi dhe nuk ka marrë konfirmimin dhe autorizimin nga ana e saj.

Kjo është konfirmuar nga burime nga policia kufitare të Kakavijës për Report TV. Pra asnjë person nuk ka kaluar deri tani dhe nuk do të kalojë pas autorizimin përkatës.

Sipas burimeve në tokën neutrale ndodhen mbi 80 persona, shumica familjarë që kërkojnë të kthehet në Shqipëri.

Ora 20:31
Emigrantët në kufi, Meta: Të zgjidhet situata, qytetarët të evitojnë maksimalisht lëvizjen

Bllokimi i disa emigrantëve shqiptarë në kufirin e Greqisë dhe më herët dhe në Malin e Zi, ka sjellë reagimin e presidentit Ilir Meta, i cili bën thirrje që qeveria dhe autoritetet përkatëse të bashkëpunojnë dhe tregojnë solidaritet për të zgjidhur këtë situatë. Meta u kërkon qytetarëve shqiptarë të mbetur jashtë vendit se fillimisht duhet të komunikojnë me ambasadat dhe konsullatat shqiptare para se të nisen dhe të shmangin në mënyrë maksimale lëvizje që nuk janë emergjente në kushtet kur kufijtë janë të mbyllur për shkak të COVID-19.

"Jam duke ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët ndodhen të bllokuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Malin e Zi. Situata e pritjes së tyre në kufirin shqiptar dhe pengesa që po hasin kërkon një zgjidhje të shpejtë.

Autoritetet shqiptare përgjegjëse të informojnë pa vonesë qytetarët tanë mbi gjendjen dhe procedurat e reja që duhen respektuar në pikat tona kufitare, të imponuara nga pandemia COVID-19, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të pamenaxhueshme.

Në të mirë të të gjithëve, shtetasit tanë duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe konsullatat tona, si dhe të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë. U bëj thirrje të gjithëve që, duke forcuar bashkëpunimin midis qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse në këtë situatë të vështirë, të tregojmë mirëkuptim e bashkëpunim, por veçanërisht solidaritet dhe përgjegjshmëri të lartë për të kapërcyer me sa më pak kosto këtë sfidë të jashtëzakonshme", shkruan Meta.