Me urdhër të SPAK, arrestohet kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, 2 avokatë dhe një ish-oficere (EMRAT)

29 Korrik, 10:18 | Përditesimi i fundit: 2024-07-29 17:33:15

 Me urdhër të SPAK, është arrestuar kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka. Burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com bëjnë me dije se në pranga kanë rënë edhe dy avokatë, Radovan Çela dhe Astrit Vladi. Ndërkohë, po me urdhër të SPAK është arrestuar edhe ish-Oficerja e Policisë Gjyqësore, Eriona Dautaj, aktualisht studente e magjistraturës.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se agjentët e KH kanë zbarkuar disa herë në ambientet e Prokurorisë së Vlorës gjatë këtij muaji dhe kanë marrë edhe disa dosje. Ndërkohë, ndërhyrja për arrestimin e Zarkës është bërë mëngjesin e sotëm, 29 korrik, nga agjentët e BKH-së. Këta të fundit i kanë zbarkuar në banesë kryeprokurorit të Vlorës duke i vënë prangat. Ndaj Zarkës rëndon akuza për veprën penale "Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".

Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u konfirmua në detyrë në qershor 2024 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK. Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mban funksionin e drejtuesit.

    No videos found.