Megaoperacioni i SPAK dhe Europol, goditen 4 grupe kriminale të trafikut të drogës! Prokurori Mara: Në Shqipëri, mbi 200 llogari bankare të sekuestruara

5 Shkurt, 13:39 | Përditesimi i fundit: 2024-02-05 18:53:39

Prokurori i SPAK Vladimir Mara ka dhënë detaje për goditjen e 4 grupeve kriminale që merreshin me trafikun e drogës në vendet e BE. Ai ka theksuar se në kuadër të këtij operacioni, hetimet e të cilit kanë zgjatur 2 vite, në Shqipëri janë sekuestruar 200 llogari bankare dhe 30 shoqëri tregtare e pasuri të personave të përfshirë.

“Janë sekuestruar në Shqipëri mbi 200 llogari bankare të personave të përfshirë në këtë aktivitet, 30 shoqëri tregtare, 18 pasuri të paluajtshme dhe pasuri të tjera të luajtshme. Këto janë pasuri që dyshohet se janë krijuar në sajë të veprimtarisë kriminale të trafikut të drogës”- tha mes të tjerash prokurori.