Merr fund emergjenca mjedisore në Fier, mbyllen vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve që 'mbytën' qytetin në tym! Subashi: Jo më depozitim mbetjesh, nga nesër i transportojmë në incenerator

1 Gusht 2021, 15:17

Merr fund emergjenca mjedisore në Fier. Janë mbyllur të gjitha vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve që "mbytën" qytetin me tym prej 5 ditësh. Ndonëse flakët u shuan 3 ditë më parë mbetjet e djegura kanë vijuar të çlirojnë tym edhe ditën e djeshme. Siç duket edhe nga pamjet sot fusha e mbetjeve urbane është tërësisht e mbuluar. Të gjitha mjetet e rënda të bashkisë dhe bordit të kullimit, gërmuese dhe transportuese kanë punuar për mbulimin me dhera të kësaj fushe duke i dhënë fund problematikës dhe diskutimeve nga politika. Ndërkohë sipas drejtorisë së mbrojtjes civile në bashkinë Fier në ditën e sotme nuk ka pasur asnjë vatër zjarri. Te gjitha zjarret e evidentuara në këtë javë janë shuar por nga zjarret në Cakran, Gjorgoz, Lalar, Kreshpan, Vjosë janë djegur rreth 70 ha me pyje e kullota, ullishta dhe vreshta.