Alvini rikthehet në shtëpi. Merr fund vuajtja dhe ankthi për vogëlushin shqiptar Alvin Berisha, që mëngjesin e sotëm është bashkuar mes lotësh dhe emocionesh me familjen, babanë dhe dy motrat që po e prisnin në aeroportin e Romës. Lutjet e tyre u dëgjuan edhe Alvini është në krahët e tyre.
I ati që më në fund pas shumë kërkimesh dhe lutjeve tashmë do ta ketë pranë i puth duart të birit, ndërsa falenderon autoritetet. 11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe. Më pas Presidenti i Kryqit të Kuq Italian, përfaqësuesi i Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane, zyrarët italianë dhe ministri Sandër Lleshaj treguan në një konferencë për mediat detajet e operacionit si u arrit që të nxirrej fëmija shqiptar nga kampi.
Katër ditë më parë Report Tv ishte i pari që dha lajmin ekskluziv për nxjerrjen nga kampi Al-Hol në Siri të Alvin Berishës. Para dy netësh 11-vjeçari shqiptar u transportua në Damask, ndërsa ditën e djeshme në ambasadën italiane në Liban dhe sot u bashkua me familjen në Romë. Operacioni për shpëtimin e Alvinit u krye nga Gjysmë Hëna e Kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndërkohë që kanë qenë në kontakt me autoritet italiane dhe ato shqiptare të niveleve më të larta.
Por si përfundoi Alvin Berisha në kampet siriane?
Historia e tij e trishtë nis që në moshën 6-vjeçare, kur e ëma braktisi familjen dhe e mori me vete në Siri, mes luftës dhe pasigurisë. Tragjedia do të bëhej edhe më e madhe, kur e ëma do të humbiste jetën së bashku me bashkëshortin e saj. Kur Alvini do të mbeste i vetëm, përpjekjet e të atit që të bëheshin edhe më të mëdha, që të mbërrinte në gjurmët e tij. Në emisionin “Le Iene”, babë e bir u takuan mes lotësh.
Por mes dhimbjes së madhe sërish u ndanë, sepse: Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi nën pushtetin kurd. Dëshpërimi i babait të Alvinit do të bënte që t’i drejtohej edhe shtetit shqiptar, vetë kryeministrit Edi Rama, duke i rrëfyer vështirësitë e mëdha për të shpëtuar vogëlushin, veçanërisht pas rritjes së tensioneve Siri-Turqi. E ndërsa presioni rritej. Kryeministri Rama u nis drejt Italisë, në një vizitë zyrtare, ku një nga temat që diskutuan Conte-Rama, ishte shpëtimi i jetës së Alvinit, historia e të cilit kishte rrëmbyer zemrat e çdo shqiptari edhe italiani që e kishte parë.