VIDEO-Ekskluzive/ Alvini i lirë dhe i qeshur arrin në Liban, nesër bashkohet me familjen në Itali (Detajet)

Portretin e tij, sot për herë të parë e shohim të qeshur në një fotografi. Më në fund, Alvini është i lirë. Pas 5 viteve vuajtje që ka përjetuar edhe parë nga afër në kampin-burg në Al Hol në Siri, në kufi me Turqinë. 11-vjeccari Alvin Berisha, i cili mbajti peng zemrat e mbarë shqiptarëve, por jo vetëm, është nxjerrë nga kampi para 4 ditësh edhe mbrëmë është transportuar nga Damasku në Liban. Aktualisht gjendet në ambasadën italiane në Bejrut, dhe shumë shpejt do të udhëtojë drejt Italisë, ku prej vitesh e presin babai dhe dy motrat e tij.

Nesër, do të jetë dita e shumëpritur për familjarët. Lutjet e tyre u dëgjuan edhe Alvini do të jetë në krahët e tyre, do të ribashkohet me ta në kryeqytetin e Italisë, në Romë.

Fotografitë edhe videoja ekskluzive e 11-vjeçarit jashtë kampit të tmerrshëm të ferrit u përcollën nga REPORT TV. 11-vjeçari në pamje është me përfaqësuesit e organizatës "Gjysmë Hëna e Kuqe", teksa transportohet me makinë në Damask. 

Ndonëse ka qenë i frikësuar në momentet e para të shpëtimit, gjendja e tij shëndetësore duket e mirë, ai ndihet i lumtur, këtë e rrëfen edhe i ati, Afrim Berisha për Report TV.

Biseda telefonike me të atin, e ka bërë Alvinin të jetë më i qetë, sepse kësaj here ëndrra e tij për të qenë pranë familjes do të bëhet realitet.

Emisioni italian “La iene” bëri që emri i 11-vjeçarit të lakohej në të gjitha mediet italiane. Përpjekjet për shpëtimin e tij, vunë para përgjegjësie jo vetëm opinionin publik, por edhe qeverinë shqiptare, që ta largonte sa më shpejt, dhe gjallë Alvinin nga kampi-ferr.

Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane, Kryqi i Kuq ndërkombëtar, autoritetet italiane dhe ato shqiptare realizuan operacionin për shpëtimin. Prej pesë ditësh ishte në Beirut Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe shefi i njësisë Anti-terror që sot e kanë pritur Alvin Berisha në zonën kufitare mes Sirisë dhe Libanit. Kryeministri Edi Rama postoi foto të Alvinit me ministrin Lleshaj. Pjesëmarrja e autoriteteve shqiptare në operacion ka qenë e nevojshme për të furnizuar dokumentet për Alvin Berishën që mban ende shtetësi shqiptare. Pa dokumente në fakt, ai nuk kishte mundësi të udhëtojë drejt familjarëve në Romë

Ndërsa pas kreut të qeverisë, reagimeve iu bashkua edhe Presidenti Ilir Meta i cili e cilësoi si një lajm të mrekullueshëm. Më tej në mbrëmje, një lajm të mirë, e quajti edhe lideri demokrat Lulzim Basha, nga një takim me qytetarët në Vlorë në kuadër të "Rrugëtimit për Shqipërinë".

Por si përfundoi Alvin Berisha në kampet siriane?

 Historia e tij e trishtë nis që në moshën 6-vjeçare, kur e ëma braktisi familjen dhe e mori me vete në Siri, mes luftës dhe pasigurisë. Tragjedia do të bëhej edhe më e madhe, kur e ëma do të humbiste jetën së bashku me bashkëshortin e saj.

Kur Alvini do të mbeste i vetëm, përpjekjet e të atit që të bëheshin edhe më të mëdha, që të mbërrinte në gjurmët e tij. Në emisionin “Le Iene”, babë e bir u takuan mes lotësh. Por mes dhimbjes së madhe sërish u ndanë, sepse: Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi nën pushtetin kurd.

Dëshpërimi i babait të Alvinit do të bënte që t’i drejtohej edhe shtetit shqiptar, vetë kryeministrit Edi Rama, duke i rrëfyer vështirësitë e mëdha për të shpëtuar vogëlushin, veçanërisht pas rritjes së tensioneve Siri-Turqi. E ndërsa presioni rritej. Kryeministri Rama u nis drejt Italisë, në një vizitë zyrtare, ku një nga temat që diskutuan Conte-Rama, ishte shpëtimi i jetës së Alvinit, historia e të cilit kishte rrëmbyer zemrat e çdo shqiptari edhe italiani që e kishte parë.

Edhe kështu sot u mundësua që kalvari i vuajtjeve që kaloi Alvin Berisha të marr fund. Por, plaga nuk mbyllet këtu, sepse mijëra fëmijë të tjerë, nga Lindja e mesme edhe Europa, vazhdojnë që të mbahen peng në kampet e Sirisë.

Report Televizion ishte i pari që dy ditë më parë transmetoi lajmin ekskluziv se Alvini 11-vjeçar ishte nxjerrë nga kampi nën pushtetin kurd. Edhe mbrëmë, në orët e vona, televizioni transmetoi detajet ekskluzive të operacionit të shpëtimit, dhe itinerarin që Alvini i vogël kishte ndjekur deri në ato momente. Burime nga Gjysmë Hena e Kuqe Siriane konfirmuan  telefonikisht nga Siria se Alvini po udhëtonte drejt Damaskut. Për tre ditë me radhë ai ka qëndruar në një vend të sigurt (safe house) në Qamishli, një fshat të veri të Sirisë. Dje ai u transferua në një vend të sigurt në Damask, dhe gjithmonë e më shumë po afrohen orët kur ai shumë shpejt të jetë në krahët e babait të tij në Itali. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:17
Shpëtimi i Alvinit/ Basha: Lajm i mirë! Rrugë të mbarë dhe mirë se të kthehesh në gjirin e familjes

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shfrytëzuar takimin me të rinjtë e Vlorës për të komentuar shpëtimin e 11-vjeçarit, Alvin Berisha nga kampi famëkeq në Siri. Ai tha se ky është një lajm shumë i mirë, e ndërsa falenderoi të gjitha partnerët dhe u kërkoi që të vazhdojnë këtë mision edhe për shqiptarët e tjerë që ndodhen ne atë kamp.

"Dua të shpreh kënaqësinë time personale edhe si prind për lajmin e mirë që morëm për Alvinin. Është një dramë që na ka mbajtur mbërthyer. Është drama e një djaloshi, të shkëputur nga gjiri i familjes. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që bënë të mundur, që ai të jetë i sigurtë, veçanërisht autoritetet italiane, Kryqin e Kuq italian. Kjo tragjedi nuk ka mbaruar. Kemi dhjetëra fëmijë të tjerë në këto kampe. Misioni vazhdon. U bëj thirrje të gjithëve, veçanërisht partnerëve që na kanë ndihmuar deri tani, veçanërisht partnerëve italianë dhe partnerëve të tjerë, të bëjnë gjithçka për këta fëmijë, duke i nxjerrë nga ato kampe të tmerrshme. Por le ta mbyllim me diçka të mirë dhe t’i themi Alvinit, rrugë të mbarë e mirëse të kthesh në gjirin e familjes", tha Basha.

Ora 14:53
Lirimi i Alvinit, Meta: Lajm i mrekullueshëm dhe i shumëpritur


Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të mirë për lirimin e Alvin Berishës nga kampi 'Al Hol'. Një lajm të mrekullueshëm për të gjithë, e cilëson kreu i shtetit. "Alvini i lirë, një lajm i mrekullueshëm dhe i shumëpritur nga të gjithë" thotë Meta.

Ora 11:18
Alvini arrin në Bejrut, nesër niset për në Itali

Report Tv po ndjek hap pas hapi operacionin që nga shpëtimi i Alvin Berishës dhe rrugëtimin që po ndiqet deri në bashkimin me familjen. Ditën e sotme ai nis nga Damasku drejt Bejrutit, ndërsa mesditën e sotme ka arritur në ambasadën italiane në Liban. Ndërkohë që nesër do të transportohet nga Libani në Romë.

Ora 11:06
Alvini arrin në kufirin libanez, pritet të niset drejt Italisë (Detajet e operacionit)


11-vjeçari shqiptar Alvin Berisha ka arritur në kufi me Libanin, ku po transportohet nga Damasku. Fëmija është i shoqëruar nga shefi i italian i Kryqit të Kuq ndërkombëtar. Brenda ditës së sotme, me të mbërritur në Liban, Alvini pritet që të transferohet me avion në Romë për t'u bashkuar me familjen.

Report Tv mëson se nga e shtuna e kaluar ndodhet në Bejrut ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, bashkë me drejtuesit e Antiterrorit. Sipas mediave italiane, operacioni është drejtuar nga karabinierët e repartit ROS të Milanos, në bashkëpunim me Gjysmë Hënën e Kuqe siriane dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, që kanë qenë në lidhje me autoritetet italiane e shqiptare. Alvin Berisha ka ende nënshtetësinë shqiptare dhe, pa dokumentet shqiptare të identitetit, të sjella nga Tirana, do të kishte qenë e pamundur për atë që të dilte nga Siria.

Babai i Alvin Berishës, Afrimi, i cili po pret kthimin në Rome të djalit të tij, sot tha se ishte informuar për lirimin e Alvinit nga një telefonatë prej ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Afrim Berisha ka folur në telefon edhe me presidentin e Republikës Ilir Meta. Sipas burime për operacionet e nxjerrjes së Alvin Berishës është folur të enjten e kaluar në Romë gjatë takimit të kryeministrit Conte me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Por detajet e operacionit të ndërlikuar mbetën të fshehta deri më sot.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Abcd: 07/11/2019 20:05

    Eshte emocion i forte te shpetosh nje femije dhe kur kjo ndodh,atehere mund te themi se ka ende shprese per jete,sepse ka ende dashuri. Italianet i mbrojne qytetaret e tyre dhe ne te tilla raste solidariteti eshte i madh ,jo vetem i qytetareve,por edhe i shtetit,pavarsisht se ishte programi "le iene"qe e percolli si rast ne publik. Pra ky djale kishte dhe fatin ne kete rast qe kishte dhe neshtetesi italiane.Po nese do te kishte vetem ate shqiptare,si do te shkonte problemi!? Si qytetar i uroj jete te gjate djalit,qe pati fatin e mire,fale angazhimit te italianeve,por edhe te strukturave te shtetit shqiptar( edhe pse do te doja ta benin kete edhe per shqiptar te tjere qe mund te jene atje), t'i shpetonte kthetrave te luftes ku mijra femij te tjere nuk e kane patur dhe nuk e kane kete fat,kete mundesi.

    Përgjigju
  • arti: 07/11/2019 17:51

    DUHET DERGUAR TANI BASHA E SALIU NE VEND TE ALVINIT....//

    Përgjigju
  • SS: 07/11/2019 16:40

    VIVA ITALIA.Turp per qeverin e AlbaColumbiStanit qe perdor kete MBREKULLI TE ITALIS per te bere propagand bajate....VIVA ITALIA

    Përgjigju
  • rfds: 07/11/2019 13:12

    shyqyr per femijet duhet kujdes

    Përgjigju
  • durrsi: 07/11/2019 12:13

    zoti ju a shperblefte te gjitheve

    Përgjigju
  • Niku: 07/11/2019 12:13

    U befsh 100 vjeç more Alvin dhe pergezo shtetin Italian dhe babain per sakrificen e tij.Qeverite tona e kane mendjen tek $$$ dhe mendjemadhesia.Kush i degjon tani e mbrapa heroizmin e tyre partiak dhe personal.

    Përgjigju
  • Tani: 07/11/2019 11:55

    Një bravo e madhe Qeverisë për rastin e Alvinit.

    Përgjigju
  • Emi: 07/11/2019 11:34

    Mir se ky, por sa e sa femi shqiptare si jan zduk tash 30 vjete dhe nje zote e di se ku jan. E shteti jon ban prapagante e kete te funit.

    Përgjigju
    • Popull: 07/11/2019 12:12

      Bëri mirë që e shpëtoi Alvinin apo më mirë ta linte me ata që tjerët që nuk gjenden dot sipas teje!? Qelbësira që nuk gëzoni një herë, por vetëm helm e vrerë dini të nxirni.

  • Pini: 07/11/2019 11:31

    Përgëzime autoriteteve shqiptare për rolin ose më së paku vëmendjen që i kanë kushtuar rastit. Kjo histori na ka prekur të gjithëve. Tani integrim të mbarë me familjen dhe jetën jashtë rrethimeve.

    Përgjigju
  • Shqipe: 07/11/2019 11:25

    Eshte fut Vatikani ne loje or shokk, dhe kaq mjafton per te kuptuar se ca jane ne gjendje te bejne ata kur duan...ketu ska lidhje as lleshi as rama e as meta

    Përgjigju
    • Marjusi: 07/11/2019 12:21

      Mos na hap Barkun me ate Vatikanin,Ka nderhyre Shteti Italian, Vatikani te shohi Skandalet e Pedofilise neper Bote dhe ne Itali

  • Erik: 07/11/2019 09:50

    Tani i duhet nje rishplarje trurit te Alvinit dhe rehabilitimi dhe integrimi me boten tjeter. Urime djalosh, jetoje me se miri kete jete te dyte qe po te jepet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille