Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me mosdekretimin prej tij të Gent Cakajt për ministër të Jashtëm (Lexo këtu), pas reagimit të kryeministrit Edi Rama. Me tone të ashpra Meta shkruan në rrjetet sociale se ai që kërcënoi Dritan Zaganin, komisarin e Fushë Krujës, kërcënon çdo ditë gazetarët, opozitarët dhe dëshmitarët, njeriu që sipas tij urdhëroi falsifikimin e tenderave të "Unazës së Madhe", ka bërë gabimin fatal, shton Meta, duke kërcënuar edhe Presidentin e Republikës. Kreu i shtetit i referohet deklaratave të Ramës pas refuzimit të dekretit nga Meta i cili i vlerësoi si skandaloze argumentet e presidentit dhe refuzimin e ministrit të ri si veprim antikushtetues (Lexo këtu).
Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.