Minatori prej 2 ditësh brenda në galeri, ende nuk dihet fati i 60-vjeçarit të bllokuar në minierën e Bulqizës! Pronarë të kompanisë 3 vëllezërit Duriçi

17 Shtator 2021, 11:28 | Përditesimi i fundit: 2021-09-17 16:13:22

BULQIZË- Prej gati dy ditësh, minatori Muharrem Plaku gjendet i bllokuar në minierën e Bulqizës pasi galeria e kromit ku punonte u shemb. 60-vjeçari, me detyrë zjarrmëtar, ka mbetur në galeri dhe ende nuk ka asnjë informacion mbi gjendjen e tij.

Burime kanë  bërë më dije se në Galerinë 3, që menaxhohet nga kompania minerare "KADURTEX" kanë qenë duke punuar 6 minatorë. Në rrethana ende të paqarta është shembur masivi i kromit duke bllokuar hyrjen e galerisë. Pesë prej minatorëve kanë arritur të shpëtojnë, me dëmtime të lehta, ndërsa kolegu i tyre ka mbetur i bllokuar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar ekipi i Avari Shpëtimit të Minierave që po punon për largimin e masivit të gurëve në hyrje të galerisë.