Ministrja e Financave për Bordet e Transparencës: Do t’i mbajmë për aq kohë sa ndikohemi nga tregjet ndërkombëtare

14 Shtator 2022, 13:14

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha sot pas mbledhjes së qeverisë se dy bordet e transparencës për karburantet dhe ushqimet që ka formuar qeveria, do të vijojnë të jenë aktive për aq kohë sa ndikohemi nga çmimet ndërkombëtare.

“Ne mbështesim tregun e lirë por kohët e vështira na bëjnë të marrim vendime të vështira. Kemi ndaluar që të materializohen rritjet e çmimeve pa pasur indicie nga tregjet ndërkombëtare, bordet kanë bërë punën e tyre. Ne do të vazhdojmë të mbajmë Bordet, qoftë të çmimeve të karburanteve, qoftë, qoftë të disa artikujve kryesorë të shportës për sa kohë do të jemi të ndikuar nga rritja eksponenciale e çmimeve ndërkombëtare në bursat të karburanteve dhe ushqimeve me qëllim garantimin që qytetarët shqiptarë të paguajnë çmimin më të ulët të mundshëm dhe në mënyrë që të mos ketë spekulime në treg për rritje të mëvonshme të çmimeve”, u shpreh ministrja.