Ministrja Ekonomi: Deri në fund të vitit nuk ka rritje të çmimit të energjisë, edhe për bizneset e mëdha! Investimi në sistem ka ulur humbjet në rrjet

15 Tetor 2021, 13:18

Për konsumatorët, bizneset e vogla dhe të mëdha deri në fund të vitit 2021 nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kështu deklaroi në ‘Sot live në Shqipëri’, në Report Tv, ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, e cila tha se duhet të kemi besim tek menaxhimin i krizës nga qeveria, pasi do të garantohen konsumatorët fundorë.

Duke u ndalur tek investimet në sistem, ministrja Ekonomi u shpreh se janë ulur humbjet në rrjet, nga 25% që ishin më parë janë ulur në 20%. Ministrja tha se kjo krizë do të jetë e përkohshme dhe do të jetë deri në 6 mujorin e parë të vitit që vjen, ndërkohë që shtoi se edhe vetë konsumtorët duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre për shpenzimet energjetike.