Mungesa e punëtorëve në tregun fason, kreu i shoqatës: Tregut i mungojnë 10 mijë punonjës, do i marrim nga jashtë! Pagat në vendin tonë, më të larta se në Rajon

24 Korrik 2021, 18:04

Sektori i fasonerisë në vendin tonë duket se po përballet me mungesë të theksuar të krahut të punës. Për Edvin Prençen, kreun e shoqatës së fasonëve, shkak për këtë mungesë nuk janë pagat e ulëta që paguan sektori.

Në një lidhje me Skype për 'Report Tv', Prençe u shpreh se në Shqipëri, punëtorët në fasoneri paguhen më shumë se sa në vendet e Rajonit, duke sjellë si shembull Malin e Zi dhe Maqedoninë, ku tha se pagat atje janë deri në 240 euro, ndërsa në vendin tonë ata paguhen mesatarisht 33 mijë lekë.

"Situata aktuale është në përmirësim, ka rritje të kërkesave për prodhimet tona me rreth 20% në krahasim me vitin e kaluar, urojmë që ky trend të jetë në rritje. Problematika kryesore që ne po hasim është ajo e fuqisë punëtore, duke patur parasysh që gjithë sektorit tonë i mungojnë mbi 10 mijë punonjës, jo përkthehet dhe në mungesë të prodhimit dhe nuk mund t'i përgjigjemi dot klientëve tanë. Shumë biznese po i drejtohen vendeve të treta, për të patur mundësi thithjen e punonjësve. Kjo mungesë vjen për shkak se shumë njerëz në vendin tonë kanë emigruar, fuqia punëtore ka shkuar në Europë. Në lidhje me pagat, mesatarsihst janë shumë të larta krahasuar me vendet e Ballkanit, apo në Bullgari ku një punëtor në fasoneri merr rreth 240 euro apo Maqedonia me 240. Nuk mund të quhet më që Shqipëria është vend i pëlqyeshëm për krahun e lirë të punës, nuk është problematika e pagës pasi një mesatare varion në 32-33 mijë lekë në muaj paga në sektorin tonë", tha ai.