Napoli 'K.O.' Juventusit për titullin, skuadra e Spallettit fiton në minutën e fundit! Tri pikë për Milanin

24 Prill 2023, 14:39 | Përditesimi i fundit: 2023-04-24 14:39:58

Serie A e futbollit është në javën e 31. Juventusi humbi 0-1 me Napolin në Torino, me djemtë e Allegrit që kanë tre humbje radhazi. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Raspadori në minutën e fundit të shtesës. Nga ana tjetër, Milani fitoi 2-0 me Leccen me dopietën e Leao.

Në "Allianz Stadium" në Torino, Juventusi humbi 0-1 me Napolin për javën e 31-të në Serie A. Dueli ishte i luftuar, me vendasit që kontrolluan pjesën e parë. 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura. Duhej minuta e 82 që Di Maria të shënonte për Juventusin, me VAR-in që anulloi golin për shkak të një faulli gjatë aksionit. Në minutën e 90+3, e fundit e shtesës, Raspadori me një goditje fluturimthi nga brenda zonës, do hidhte "knock out" Juventusin në shtëpi, duke i shkaktuar humbjen e tretë radhazi. Me 78 pikë, Napoli kryeson renditjen e Serie A dhe i duhet një fitore për t'u shpallur matematikisht kampion në Serie A. Juventusi me 59 pikë mban vendin e tretë.