Napoli kryeson i vetëm Serinë A, sot Fiorentina-Inter, Barcelona shmang humbjen

21 Shtator 2021, 09:46

Napoli merr i vetëm kryesimin e Serisë A. Napoletanët fituan 4-0 ndaj Udineses në transfertë dhe në katër ndeshjet e para numërojnë po kaq fitore. Skuadra e Luciano Spalletti-t kryeson me 12 pikë të plota duke lënë pas Interin e Milanin.

Ndaj Udineses në Friuli serinë e golave e hapi sulmuesi Victor Osimhen dhe më pas shënoi edhe mbrojtësi i Kosovës Amir Rrahmani. Në pjesën e dytë e tundën rrjetën edhe Koulibaly e Lozano mbylli llogaritë. Napoli po tregon formë shumë të mirë dhe trajneri thotë se ekipi ka kualitet dhe pse jo objektiv është titulli kampion. Sot luhen edhe tre ndeshje të javës së 5-të në Itali ku spikat Fiorentina-Inter.