Ndërhyrje nga ajri pas 10 ditësh për shuarjen e zjarreve, prefekti i Vlorës: Nën kontroll vatra e Dukatit, në Karaburun situata problematike pasi era është e fortë! Helikopteri rinis punën nesër

1 Gusht 2021, 19:08

Ndërhyrja nga ajri me helikopter ditën e sotme ka sjellë një përmirësim të situatës së zjarreve në zonën e Dukatit dhe atë të Karaburunit, dy nga vatrat më të vështira në Vlorë që janë aktive prej më shumë se 10 ditësh. Helikopteri i ardhur pas remontit ka punuar gjatë ditës së sotme në të dyja vatrat atë të Dukatit dhe Karaburunit deri në orët e pasdites, ndërsa pritet që të rinis sërish punën nesër. Nuk dihet ende nëse nesër do të shtohet ndonjë helikopter tjetër, ndërsa kërkesa për shtim të tyre i është bërë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mbrojtjes Civile.

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj tha për Report Tv se ndërhyrja e helikopterit ditën e sotme bëri që vatra e zjarrit në Dukat të vihet nën kontroll, ku aktualisht po punojnë forcat zjarrfikëse dhe ato ushtarake, ndërsa në zonën e Karaburunit situata është më problematike pasi era është tepër e fortë dhe rrezikon sërish përhapjen e flakëve, pavarësisht ndërhyrjes për orë të tëra të helikopterit.