Ndryshimi i ligjit për OJF-të, Gjonaj: Rritet transparenca! Projektligji për përkthyes zyrtarë, risi përfshirja e statusit të interpretit të gjuhës së shenjave

24 Qershor 2021, 13:58

Në seancën e sotme në Kuvend ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi projektligjin për regjistrimin e organizatave jo fitimprurëse në Shqipëri. Ky projektligj tha Gjonaj rrit transparencën e këtij sektori duke hequr rrezikun që mund të ketë në të ardhmen për pastrimin e parave.

“Projektligji për regjistrimin e Organizatave jofitimprurëse, është një nga nismat më të rëndësishme që unë, që edhe personalisht kam pasur kënaqësinë për të propozuar në Këshillin e Ministrave dhe për ta prezantuar përpara Kuvendit. Përpara përfshirjes time dhe në emërimin në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, puna në organizata të shoqërisë civile, të bën të kuptosh vështirësitë që realisht krijohej në funksionimin e organizatave, për shkak të një kuadri ligjor që jo vetëm që nuk lehtësonte krijimin dhe funksionimin e shoqërisë civile në vend, por në fakt vendoste barriera administrative të panevojshme që ndikonin drejtëpërdrejtë në vullnetin e aktivistëve të shoqërisë civile për tu regjistruar dhe për të forcuar zërin e tyre edhe nëpërmjet organizimeve formale ligjore.

Nga ana tjetër, për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga MONEYVAL, ne rrisim transparencën e këtij sektori, dhe heqim një rrezik që ky sektor mundet të ketë për pastrimin e parave. Në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, nëpërmjet këtij projektligji vendosen detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori. 

Po ashtu, nëpërmjet këtij projektligji kemi gjetur edhe një zgjidhje për të ulur disi ngarkesën në gjykatën e tiranës. Sipas ligjit aktual, çdo veprim me regjistrin e OJF-ve, duhet të bëhej nga një gjyqtar i gjykatës së tiranës. Në një vit, gjykata e tiranës kishte rreth 2000 çështje që kishin lidhje me kryerjen e veprimeve në regjistrin e OJF-ve. Tashmë, këto 2000 çështje mesatare në vit nuk do të trajtohen më nga gjyqtarët, por nga kancelari i gjykatë së tiranës, i cili, me mbështetjen e zyrës së regjistrit të OJF-ve, do të kryejë këto procedura regjistrimi. Miratimi i këtij projektligji do të sjellë një ndryshim rrënjësor për sa i përket transparencës së organizatave të shoqërisë civile, por njëkohësisht dhe lehtësirave në procedura, duke lehtësuar nga njëra anë organizatat dhe qytetarët që kanë interes dhe duan të marrin informacion për të gjithë organizatat që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë”, tha Gjonaj.