Në 'Benz' me dy mina gati për shpërthim, arrestohet në Fier 33-vjeçari nga Tirana

18 Qershor 2021, 09:47

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Fier, i akuzuar për trafikim të minave me telekomandë.

"Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”. 

"Goditet një rast i trafikimit të minave me telekomandë.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit e lëndëve plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme "Shqiponjat", finalizuan me sukses operacion policor të koduar "Porosia", si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

E. J., 33 vjeç, banues në Pezë, Tiranë.

Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet policore, në vendin e quajtur "Vija e Ngjalës", në mjetin tip "Benz" me të cilin ky shtetas udhëtonte, iu gjetën 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon operacioni për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale "Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive'", njofton policia.