Duke filluar nga sot në të gjithë pikat kufitare të vendit kanë hyrë në fuqi masat e reja anti COVID sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të marrë më 30 gusht. Një prej kushteve që kërkohet është edhe testi i shpejtë në mungesë të testit PCR. Kjo ka bërë që në të gjithë pikat kufitare të vendet të hapen pika testimi për 'rapid test' ku drejtohen me mijëra udhëtarë.
Sa i përket Aeroportit të Rinasit nuk ofrohen testet e shpejta, as testi serologjik apo edhe ai i antigjenit por vetëm testet PCR, të cilat bëhen nga një kompani private dhe kushton 35 euro. Një vëzhgim i Report Tv zbulon se në të gjitha pikat e tjera kufitare çmimet variojnë nga 15 deri në 25 euro dhe realizohen nga disa kompani të caktuara private. Çmimet janë tepër të larta, duke ia kaluar shumë vendeve të Bashkimit Europian që në të shumtën e rasteve i ofrojnë edhe në farmaci teste të tilla apo kanë bërë marrëveshje me kompanitë që çmimi të ketë një limit si në rastin e Italisë kur testi nuk i kalon 15 euro. Pse qeveria shqiptare nuk e bën një marrëveshjet të tillë me privatët? Gjithashtu ka vende që testin e shpejtë e ofrojnë edhe falas nga shteti në pikat kufitare.















