Në pranga 'Eskobari i Ballkanit' / Pjesa e parë

16 Janar 2019, 10:19

Pas gati dy vjetësh në arrati, Klement Balili i cilësuar si "Eskobari i Ballkanit" vetëdorëzohet në polici (Lexo këtu). Emisioni "Repolitix" në Report Tv diskutoi pikërisht dorëzimin e Balilit në një panel të ftuarish si gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha, zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno si dhe gazetari Ferdinand Dervishi. Zv/ministrja Rovena Voda u shpreh se dorëzimi i Klement Balilit nuk ishte vullnetar, por një zgjidhje e imponuar për shkak të ngushtimit të territorit nga policia. 

Në "Repolitix" u transmetua edhe një fragment i intervistës së Balilit për gazetarin investigativ Artan Hoxha. "Eskobari i Ballkanit" rrëfen arsyet pse vendosi të dorëzohej pikërisht tani në polici, pas 2 vitesh e gjysmë në arrati. Intervista e plotë me Balilin do të transmetohet të mërkurën në mbrëmje po në emisionin "Repolitix" në orën 20:30. Ndërsa gazetari Elton Qyno tha se e vetmja provë e prokurorisë ndaj Balilit janë përgjimet telefonike për 700 kg drogë të trafikuara në Greqi. Qyno tha se Balili do kërkojë lirimin nga akuzat në gjykatë. 

Klement Balili u prangos ditën e martë pas një marrëveshje që e çoi atë drejt vetëdorëzimit në Policinë e Shtetit ku e priste vetë kryepolici Ardi Veliu vetëm 3 km larg vilës së "Eskobarit të Ballkanit" në fshatin Stjart pranë Delvinës.