Balili në pranga pas dy vitesh në arrati, Report Tv sjell pamje ekskluzive para dhe gjatë dorëzimit (VIDEO)

Zyrtarisht i shumëkërkuari Klement Balili është në prangat e Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një deklarate për mediat njoftoi se ‘Escobari i Ballkanit’ i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është dorëzuar. ‘Peshku i madh’ apo ‘Magjistari’ sikur është cilësuar nga ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu vendosi që pas dy vitesh në arrati të përballet me drejtësinë.

Ai është dorëzuar në afërsi të Finiqit rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm pas negociatave të nipit të tij Rigels Balili (kryetar i bashkisë së Delvinës) me policinë. Klement Balili ka vendosur tre kushte për dorëzimin; mos ekstradimin në Greqi, proces të drejtë dhe kushte të mira në qeli. Report Tv siguron pamjet ekskluzive të momentit kur Balili del nga banesa i shoqëruar nga familjarët dhe dorëzohet në polici mëngjesin e sotëm. Në pamjet e siguruara nga Report Tv duket baroni i drogës duke u përqafuar dhe përshëndetur me familjarët dhe të afërmit e tij. 

Sipas burimeve të Report Tv, makina tip ‘Benz’ me targa AA 247 TC ku Balili udhëtoi për herë të fundit në liri për t’u dorëzuar në policinë e shtetit i përket një kompanie ndërtimi në Sarandë. Më pas Balili u shoqërua në drejtim të Tiranës nga eskorta e Policisë së Shtetit ku i pranishëm ishte edhe drejtori Ardi Veliu. Report Tv siguron edhe pamjet kur ai u shoqërua nga eskorta në masa të forta sigurie drejt kryeqytetit, ndërsa tani ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në konferencën për mediat dha disa detaje nga operacioni që dërgoi në prangosjen e të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare. "Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm për dorëzimin e Balilit në bashkëpunim me partnerët dhe shërbimin sekret pas një procesi gjurmues. Nga sot policia shqiptare merr në duart e saj një prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj, ndërsa partnerët tanë marrin një lajm të rëndësishëm dhe mesazh të qartë për Shqipërinë që duam", tha ai (lexo këtu deklaratën e plotë). 

Fillimisht lajmin për dorëzimin e Balilit e dha ish-kryeministri Sali Berisha paraditen e sotme, ndërsa rreth dy orë më pas, Lleshaj e konfirmoi. “Dorëzohet Klement Balili! Qytetari dixhital informon. Pershendetje doktorin vetëdorezohet kelment Balili ne prokurorin e krimeve te renda ai esht nisur drejt tiranes me Rigels Balilin”, shkruate Berisha. Por kush është Klement Balili? (lexo këtu)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:01
VIDEO/ Pas dorëzimit, Balili i shoqëruar nga dy makina të policisë drejt Tiranës

Pasi hipën në automjetin tip "Range Rover" të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Klement Balili shoqërohet nga Delvina drejt Tiranës edhe nga një makinë tip "BMW". Në këtë automjet kanë qenë tre efektivë policie. I shumëkërkuari, që sipas mediave greke mori edhe nofkën "Escobari i Ballkanit", është dërguar në ambientet e komisariatit nr.6 në kryeqytet. 

Ora 20:00
'Balili'/ Basha: Rama uli kokën para kushteve të trafikantit të drogës

Partia Demokratike nuk e sheh si sukses të Policisë së Shtetit dhe as të luftës kundër krimit të organizuar, prangosjen e "Eskobarit të Ballkanit", Klement Balili. Në një reagim në rrjetet sociale, kryetari i PD, Lulzim Basha shkruan se Rama uli kokën para kushteve të trafikantit të drogës. "Rames i djeg e verteta sepse Balili eshte prova e kapitullimit te tij para krimit. I djeg sepse ka ulur koken para te gjitha kushteve te trafikantit te droges. I djeg sepse shqiptaret do ta shohin shpejt lehtesimin nga akuzat per trafik droge. E kemi pare kete film me S. Tahirin", shkruan Basha. 

Reagimi i Bashës në rrjetet sociale
Ora 19:44
VIDEO/ Momenti i dorëzimit të Balilit në një fushë, zbret nga makina e tij dhe hipën te ajo e Ardi Veliut

Report Tv siguron videon ekskluzive të momentit kur Klement Balili dorëzohet te drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Pasi përshëndetet me familjarët te vila e tij në fshatin Stjar pranë Delvinës, Balili hipën në një automjet tip "Benz ML" dhe drejtohet për te një fushë ku duket një ndërtesë e vjetër e cila ka funksionuar si pulari në kohën e diktaturës, pranë fshatit Vane, rreth 3 km larg fshatit të tij. Pikërisht në këtë vend dorëzohet i shumëkërkuari Klement Balili i cili zbret nga automjeti i tij "ML" dhe hipën në "Range Roverin" e Ardi Veliut. 

Ora 19:22
Arrestimi i Balilit/ OSBE: Përgëzime për Policinë e Shtetit, hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar

Misioni i OSBE në Tiranë ka reaguar pas dorëzimit të Klement Balilit në Polici dhe arrestimit të tij. OSBE përgëzon Policinë e Shtetit dhe thekson rëndësinë që ka ky lajm në luftën e Shqipërisë kundër krimit të organizuar. "Shohim që përpjekjet disavjeçare në luftën kundër krimit të organizuar, edhe një herë, po sjellin rezultate konkrete dhe të rëndësishme në Shqipëri. E përgëzojmë Policinë e Shtetit për arrestimin e trafikantit të akuzuar ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm në luftën e Shqipërisë kundër krimit të organizuar. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e vendit për fuqizimin e shtetit të së drejtës."-thuhet në njoftimin e OSBE.

Ora 19:17
Fotolajm/ Ja si dukej 3 vite më parë dhe si është sot Klement Balili, me më pak kilogramë dhe më i zbehur

Disa orë para se të nisej për t’u dorëzuar, Klement Balili ka dhënë një intervistë për gazetarin investigativ të Report Tv, Artan Hoxha. Intervista pritet të transmetohet ditën e nesërme në Repolitix, ndërkohë që Shqiptarja.com sjell një foto të Balilit, ku shihet ndryshimi i ish-drejtorit të Transporteve të Sarandës, nga gati 3 vite më parë, kohë kur u shpall në kërkim. Pamja e Balilit ka ndryshuar. “Eskobari i Ballkanit”, shihet me më pak kilogramë dhe më i zbehtë në fytyrë.

Klement Balili gjatë intervistës me gazetarin Artan Hoxha
Ora 18:55
ME VIDEO/ Momenti ku Eskobari i Ballkanit ndahet nga familjarët dhe niset për t’u dorëzuar

Report Tv sjell pamjet ekskluzive të momenteve të fundit kur Klement Balili, i njohur si Eskobari i Ballkanit del nga shtëpia e tij në fshatin Stjar për t’u dorëzuar në Polici. Familjarët e Balilit e shoqëruan atë deri tek makina tip ML, ndërsa njëri prej tyre mban në duar një çantë të zezë. Balili, i veshur me një xhup kaf, shihet teksa përqafohet me dy prej tyre.

Ora 18:21
Prangosja e Balilit, Lleshaj: Sa keq, opozitarët përqeshin, partnerët duartrokasin

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar sërish lidhur me prangosjen e të shumëkërkuarit Klement Balili. Në një postim në rrjetet sociale, Lleshaj i përgjigjet akuzave të opozitës se nuk ishte policia ajo që e arrestoi, por ai u vetëdorëzua falë një skeme të kontrolluar dhe menaxhuar në pakt me Edi Ramën. Por për Lleshajn, opozitarët përqeshin, ndërsa ndërkombëtarët duartrokasin. "Për ata që janë hutuar nga arrestimi i Balilit dhe mundohen të hutojnë të tjerë: Mirëkuptim për mizën nën kësulë, por Balili ka llogari të hapura jo vetëm me drejtësinë shqiptare, po edhe atë të vendeve të tjera US EU. Sa keq, opozitarët përqeshin, partnerët duartrokasin!", thotë Lleshaj.

Ora 17:10
Deklaratat e opozitës për Balilin/ Rama: Avazi që prej 5 vite e gjysëm, sot iu djeg posaçërisht të dyve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas arrestimit të Klement Balilit dhe deklaratave të opozitës se Balili u vetëdorëzua pasi Policia e Shtetit nuk mundi dot që ta arrestonte. Rama thotë se opozita vazhdon të njëjtin avaz prej 5 vite e gjysëm, por se sot iu “djeg” duke iu referuar krerëve të partive opozitare, Monika Kryemadhi e Lulzim Basha. 

Kur kapen janë ata që na kapin ne!Kur dorëzohen jemi ne që u dorëzohemi atyre!Kur nuk kapen jemi ne që s'i kapim dhe kur nuk dorëzohen janë ata që na e hedhin!Ky është avazi opozitar prej 5 vitesh e gjysëm po kjo e sotmja u djeg posaçërisht, e s'kanë faj fare,as njëri as tjetri.

Edi Rama, kryeministër

Ora 16:49
Prangosja e Balilit, Ambasada e SHBA: Përgëzojmë policinë e shtetit dhe agjencitë partnere ligjzbatuese

Ka reaguar edhe ambasada e SHBA në Tiranë pas prangosjes së Klement Balilit. Në një postim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA përgëzon policinë e shteti dhe agjencitë ligjzbatuese që çuan në pranga trafikandin ndërkombëtar të drogës. "Ne përgëzojmë Policinë e Shtetit dhe agjensitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE. Ne mirëpresim një hetim dhe gjyq të shpejtë dhe të plotë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar. KushEKaRradhën", thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA. 

Ora 16:46
Balili në pranga, ambasadori i BE, Soreca: Moment i rëndësishëm në luftën kundër bandave kriminale

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka komentuar vetëdorëzimin e Klement Balilit në Policinë e Shtetit, pas 2 vitesh qëndrimi në arrati. "Klement Balili i ndaluar nga Policia e Shtetit paraqet një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër bandave kriminale në Shqipëri. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës është prioritet kryesor për rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Europian", shkruan Soreca në një postim në rrjetet sociale. 

Postimi i Sorencës për arrestimin e Balilit
Ora 16:34
Fotot ekskluzive, momentet e dorëzimit të Klement Balilit
Ora 16:09
Arrestimi i Klement Balilit, mediat ndërkombëtare jehonë lajmit: Dorëzohet koka e trafikut të drogës

Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit të arrestimit të Klement Balilit, të cilësuar si Eskobari i Ballkanit. Britanikja “Daily Mail”, shkruan se Balili është arrestuar në një kohë kur fokusi i Shqipërisë është lufta kundër krimit të organizuar. Trafikanti shqiptar i drogës në arrati dorëzohet pas tre vitesh. Lufta kundër krimit të organizuar është prioriteti i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”.-shkruan Daily Mail.

Pasqyrimi i mediave te huaja per Balilin

Agjencia Ballkanike e Lajmeve, IBNA shkruan se sot është dorëzuar në një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri. “Një prej personave më të kërkuar në Shqipëri u dorëzua tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Për Balilin kishte edhe një urdhërarresti ndërkombëtar. Ai kërkohej në shumë vende për trafikim të lëndëve narkotike dhe njihej me pseudonimin Eskobari i Ballkanit”, thekson IBNA-ja.

Ndërkohë që Associated Press, shkruan se Balili u arrestua pas një urdhër arresti nga Greqia. “Balili, një ish-zyrtar i administratës vendore të qytetit jugor të Sarandës, ka qenë në arrati pas një urdhërarresti nga Greqia fqinje, që e konsideron atë si kreun e trafikimit të lëndëve narkotike. Lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe korrupsionit janë prioritetet kryesore të Shqipërisë, që synon të hapë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian këtë vit”, shkruan “Associated Press” (AP).

Ora 14:16
Avokati i Balilit: Ja pse u dorëzua tani dhe prova që e akuzon prokuroria

Theodhori Sollaku, avokati i Klement Balili pas takimit në drejtorinë e Policisë së Tiranës me klientin e tij u shpreh për mediat se ‘Duhet të jetë i ndërgjegjshëm që nga momenti i daljes së urdhrit të arrestit trysnia ka qenë e madhe për ta arrestuar edhe pse nuk ka pasur asnjë provë. Tani që erdhi letër porosia e plotësuar me aktet dhe hetimet janë drejt përfundimit, Balili vendosi që të dorëzohej. Balili nuk i është shmangur në asnjë moment drejtësisë, pasi në dy vite drejtësia nuk ka kryer asnjë veprim procedural. Ditët e fundit është negociuar mes familjarëve dhe policisë dhe sot është dorëzuar. Është dorëzuar në Sarandë. Ne jemi në fund të fazës së hetimit, do të njihemi me aktet e prokurorit dhe më pas.... Dosja është në atë gjendje që ka qenë, provat janë të dyshimta, nuk ka asnjë implikim nga asnjë dëshmitar, nuk ka asnjë bisedë të përgjuar. Pretendohet se një numër telefoni grek i përket Balilit. Akuza mbetet e dyshimtë do të përballemi para gjykatës për të konkluduar” deklaroi avokati Theodhori Sollaku.

Ora 13:31
'Balili'/ PD akuza Ramës: S'është hap i madh në luftën kundër krimit, skema e njëjtë si për Tahirin

Pas prangosjes së Klement Balili, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi se vetëdorëzimi i nuk është hap i madh në luftën kundër krimit, por është skemë e kontrolluar dhe menaxhuar në pakt me Edi Ramën.

Deklarata e plotë
Shoqërimi i Klement Balilit në qeli nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i kontrolluar dhe i menaxhuar i Eskobarit të Ballkanit në pakt me Edi Ramën. Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge. Rasti i parë, kur kjo do të provohet, si çdo denoncim tjetër i Partisë Demokratike për lidhjet e Edi Ramës me krimin, do të jetë rasti i Saimir Tahirit. 

Për ish ministrin e drogës, i cili e la mandatin e deputetit dhe u vu në mënyrë të kontrolluar në arrest shtëpie, sa për të gënjyer partnerët, po përgatitët lirimi nga akuza kryesore për bashkëpunim në trafikun e drogës. Shpërdorimi i detyrës do të jetë akuza më e lehtë për të, sepse Edi Rama kontrollon hetimin. Skema “Tahiri” do të funskionojë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Klement Balili. Prandaj Drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi 5 vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet. Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës. Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës. Megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës, shumicën e tyre pa garë.

Pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është vetëm fasadë dhe se Klement Balili e menaxhon në të vërtetë resortin, me të cilin mban peng Edi Ramën. Propaganda nuk do ta ndihmojë Edi Ramën të shesë si sukses skemën e dorëzimit të kontrolluar të Klement Balilit për ta mbrojtur atë, njësoj si Saimir Tahirin. Ky nuk është rasti për të duartrokitur Policinë, por për të kuptuar se Policia, qeveria dhe drejtësia janë, për fat të keq, në duart e një njeriu të vetëm, që ka lidhur fatin e pushtetin të tij me fatin e krimit.  

Ora 13:23
Balili dërgohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Nga Komisariati nr. 6 në Tiranë, Klement Balili është dërguar në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.

Ora 13:17
Ja kush negocioi për dorëzimin dhe tre kushtet e Balilit (Detaje nga operacioni)

Report Tv mëson se Klement Balili është dorëzuar mëngjesin e sotëm në afërsi të Finiqit rreth orës 09:00, ndërsa personi që negocioi me policinë e shtetit ka qenë nipi i tij, Rigels Balili. Klement Balili ka pranuar të dorëzohet në prani të drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ndërsa ka kërkuar mos ekstradimin në Greqi, proces të drejtë e ligjor dhe kushte të mira në qeli.

Ora 13:09
Burime për Report Tv: Balili kërkon që të mos ekstradohet në Greqi

Report Tv zbulon të tjera detaje nga dorëzimi i Klement Balilit në orën e para të mëngjesit të sotëm në Delvinë. Sipas burimeve të Report Tv, Balili ka kërkuar që të mos ekstradohet në Greqi, por të përballet me drejtësinë në Shqipëri.

Ora 12:47
Drejtori i Policisë e solli Balilin në Tiranë me eskortën e tij (FOTO)

Klement Balili ka mbërritur nga Delvina në Tiranë me eskortën e policisë së shtetit. Ai është shoqëruar nga vetë drejtori i policisë së Shtetit, Ardi Veliu me makinën e tij. Aktualisht ai ndodhet në qelitë e paraburgimit në komisariatin nr. 6 në Tiranë në Kombinat, ku do i komunikohen akuzat. 

Makina e Ardi Veliut që shoqëroi Balilin në Tiranë
Ora 12:34
Ja katër akuzat ndaj Balilit, Theodhori Sollaku avokat i ‘Escobarit të Ballkanit’

Report Tv mëson se avokati i Balilit është Theodhori Sollaku. Gazetari Elton Qyno thekson se Balili akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, grup të strukturuar, mosdeklarim të pasurisë, pasi Balili ka qenë drejtor i Transporteve dhe kishte detyrim të deklaronte pasurinë dhe pastrim parash, janë katër akuzat që ka konsumuar. Ne dy ditët në vijim pritet që të dalë para gjykatës për njohjen me akuzat. Pak ditë më parë mbërriti në Shqipëri edhe letërporosia nga Greqia për Balilin, ndërsa në fund të janarit dosja pritet që të shkojë në gjykatë. 

Ora 12:22
Balili në pranga, Meta: Falenderoj partnerët për presionin e gjithanshëm (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë pas dorëzimit në policinë e shtetit të Klement Balilit. “Përshëndes ndalimin e Klement Balilit, një person me probleme mjaft serioze me ligjin. Falënderoj jo vetëm agjencitë ligjzbtuese, por edhe partnerët tanë për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot” tha kreu i shtetit.

Ora 12:19
Kapja e Balilit, Rama: Një nga operacionet më të sofistikuara policore, vetëdorëzimi është realizimi i tij me sukses

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me reagimet e tij lidhur me prangosjen e të shumëkërkuarit Klement Balilit. Në reagimin e tij, ai shprehet kapja e Klement Balilit është një nga operacionet më të sofistikuara policore, i cili ka vijuar për muaj të tërë dhe vetëdorëzimi i tij është përfundimi i tij me sukses.

“Hahaha çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur KB u ndal tek dera e policisë pas një shëtitje në pedonalen e Delvinës. Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij,”- shkruan Rama. 

Ora 12:09
Balili në pranga, reagon Rama: Hap i madh në luftën kundër krimit të organizuar

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi i shumëkërkuari Klement Balili ka përfunduar në prangat e policisë. Në reagimin e tij, Rama është shprehur se ky është një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar duke mos harruar që të urojë për arritjen ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Policinë e Shtetit dhe SHISH.

Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara. Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH,”- shkruan Rama. 

Më tej Rama shkruan se kapja e Klement Balilit është një nga operacionet më të sofistikuara policore, i cili ka vijuar për muaj të tërë dhe vetëdorëzimi i tij është përfundimi i tij me sukses.

“Hahaha çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur KB u ndal tek dera e policisë pas një shëtitje në pedonalen e Delvinës. Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij,”- e mbyll Rama. 

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një deklarate për mediat njoftoi se ‘Escobari i Ballkanit’ i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është dorëzuar. ‘Peshku i madh’ apo ‘Magjistari’ sikur është cilësuar nga ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu vendosi që pas dy vitesh në arrati të përballet me drejtësinë. (LEXO KËTU)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Justice: 16/01/2019 17:26

    Nuk ka asgje te cuditshme te mos arrije policia te arrestoj dike qe fshihet. E cuditshmja eshte kur drejtori policise e merr ne makinen personale.do ju lutesha tme tregoni nje rast te tille ne bote.

    Përgjigju
  • shiku: 15/01/2019 22:21

    Ardi Veliu e merr Balilin me Range Rover dhe i kane futur dhe nje dreke ne Tepelene, Edi Rama do perdori Balilin ne kete moment kunder Likes si presion, e ka thene qe politika eshte si loje shahu.

    Përgjigju
  • Loran shehu: 15/01/2019 21:57

    Sa turpppp po ky del nga shpia dhe takon drejtorin ne nje fushhh skandal esht ber drejtori si taksixhi

    Përgjigju
  • Escobar: 15/01/2019 20:31

    Paska qene tamam Escobar i balkanit. Dhe Pablo u dorezua njehere vete, me kusht mos dorezohej te amerikanet. Se di ca akordi ka bere ky me qeverine po nje akord e ka bere.

    Përgjigju
  • blablabla: 15/01/2019 19:33

    haha pa lidhje sinqerisht, mediat thone u dorezua kurse shteti thot arrestohet me i kerkuari ne ballkan,nejse po si more me i kerkuari ne ballkan lihet duke u pershendet me familjaret dhe shoqerohet me ML nga nipi vet dhe Ardi Veliu ku jan maskat e zeza ta shtrijn ne toke e ta rrasin ne makin ta cojn ne komisariat sic cojne te tjeret qe i fusin thesin ne kok haha ehh shqiperi hesapi thjesht filma.

    Përgjigju
  • Emigrati: 15/01/2019 19:21

    C'far ka presidenti qé duket si i dhier?? Aha ka frik nga balili,

    Përgjigju
  • Baton Haxhiu: 15/01/2019 17:46

    Ilir,kujdes se mos i jep naj interviste ktij,se e din ti ku perfundon mbrapa :p

    Përgjigju
  • sandri: 15/01/2019 17:17

    Politikanet qe i dhane krah ketyre te futen ne burg... Po ca koke eshte ky, Meruni me peshqit e vertete.. Keto jane te perdorurit e politikes se ketyre viteve... Kane shitur vendin e kane siguruar breza.. Kete vend po deshi amerika e ben...

    Përgjigju
  • Robshi: 15/01/2019 16:42

    Tani do hame me luge floriri...qe tani ra nafta me 200leke...shyqyr qe u dorezua te kete dhe policia nje arritje qe i mundesoi dorezimin me ML te fundit...dhe ky gazetari intervistat i ben per te patur version me video se sa te pafajshem jane...bananistan

    Përgjigju
  • Gjon Lleshaj: 15/01/2019 15:59

    Pëshëndesim qeverinë e ministrin Sandër Lleshaj për, sipërmarrjen e detyrës së vështirë, fillesën, ritmin dhe arritjet. Shtetin e drejtojnë motivimi, puna dhe përkushtimi drejtuesve. Kundërshtuesit, dyshuesit, penguesit e mos vlersuesit janë bashkëpunëtor me të keqen, kundër ligjeve, për të mos bërë vendin e përfitues politik e ekonomik. Populli e Shqiptarët paguan për zullumet e Balilëve e atyre që janë përfitues pas tyre, për detyrat që paguhej e tjerër përfitonin, për 46 operacionet e dështuara edhe për të tjerat nga hetimi, gjykimi e deri mbajtja në burg. Ky vend bëhet me ligje të sakta, rrepta, për të gjithë njëlloj, drejtësi për të gjithë nga presidenti tek qytetari, pa të çara shpëtimi. Urojmë që sejcili që ka punuar kundër këtij vendi, të jetë në çeli me Balilin. Ju uromë suksese, Respekte për punën.Gj. Lleshaj.

    Përgjigju
  • stresi: 15/01/2019 15:44

    Pupupu turp i zotit... Ku kemi perfundu

    Përgjigju
  • Ops: 15/01/2019 15:41

    Vetem ne shqiperi ndodhin keto , drrejtori policis 3 muaj negociata, media e juaj ne dispozicion te krimot , dhe ben sehire policia kur ai dorzohet duke e len te ndahet me fisin

    Përgjigju
  • snder hoxhillari: 15/01/2019 14:41

    po te vjen radha Metuk ari pehu gati

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!