Nënshkruhet Marrëveshje Mirëkuptimi mbi programin ‘Iliria’, nxit mësimdhënien e gjuhës italiane në sistemin arsimor shqiptar

18 Maj 2021, 18:27 | Përditesimi i fundit: 2021-05-18 18:58:48

Një marrëveshje e re mirëkuptimi mbi programin “Iliria” me qëllim nxitjen e mëtejshme të mësimdhënies së gjuhës italiane, si gjuhë e parë e huaj, në sistemin arsimor shqiptar, është nënshkruar ditën e sotmes mes Ambasadorit të Italisë Fabrizio Bucci dhe Ministres së arsimit, Evis Kushi e asaj të finanacave Anila Denaj.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria merr përsipër të përhapë mësimdhënien e gjuhës italiane në sistemin parauniversitar. Kjo Marrëveshje parashikon gjithashtu edhe përfshirjen e shkollave teknike - profesionale vendase me module në gjuhën italiane të lëndëve jo gjuhësore, duke pasur parasysh praninë e gjerë të sipërmarrjeve italiane në Shqipëri si dhe nevojën për gjetjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në vend.

Italia, nga ana e saj, do të vijojë të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të mësimdhënies së gjuhës italiane përmes lëvrimit të kontributeve në dobi të mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane si dhe furnizimit, me materiale didaktike, të bibliotekave dhe laboratorëve të shkollave “Iliria”.

Italia do të vijojë gjithashtu të japë ndihmesën e saj në formimin e mësuesve shqiptarë të italishtes përmes Zyrës së Shkollave të Ambasadës së Italisë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, duke vënë theksin kështu në angazhimin e vazhdueshëm italian në integrimin nëpërmjet projekteve inovative dhe nismave kulturore të kurrikulave tradicionale të mësimdhënies.

Me rastin e nënshkrimit, Ambasadori deklaroi: “Sot është një ditë e veçantë pasi përtërijmë, për të tretën herë, marrëveshjen e Programit “Iliria”, një mjet i rëndësishëm që rregullon mësimdhënien e gjuhës italiane në shkollat shqiptare. Gjuha italiane ka qenë një mjet i rëndësishëm për breza të tërë shqiptarësh, për të çelur një dritare drejt botës. Falë Programit “Iliria” janë formuar, ndër vite, jo vetëm të rinjtë shqiptarë por edhe mësuesit e gjuhës italiane. Synimi ynë është të fuqizojmë mësimdhënien e gjuhës italiane në Shqipëri duke e çuar italishten edhe në shkollat profesionale shqiptare, pasi gjuha italiane duhet të jetë një mjet i dobishëm për t’u mundësuar punësimin të rinjve shqiptarë që diplomohen në degët e ndryshme profesionale. Italia vazhdon të jetë partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe një e treta e shkëmbimeve të Shqipërisë kryhet me Vendin tonë, janë rreth 3 mijë ndërmarrjet italiane që punojnë në Shqipëri duke i ofruar punë dhjetëra mijëra njerëzve. Ndaj, e mbi të gjitha për këtë arsye, gjuha italiane është shumë e rëndësishme.”