Nesër regjistrohet 'Bindja Demokratike', Patozi kryetar, do garojë në 30 qershor

22 Prill 2019, 21:33

TIRANE-Nesër do të regjistrohet në gjykatë dhe më pas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (që është afati i fundit) për vendoret e 30 qershorit, partia e re 'Bindja Demokratike' me kryetar Astrit Patozin.

Lajmin për themelimin e partisë së re e konfirmoi për Report Tv Fabian Topollaj, anëtar aktual i këshillit bashkiak të Tiranës dhe i njohur si kritik i fortë i Lulzim Bashës.  "Bindja Demokratike' do marrë pjesë në zgjedhje. Unë do të jem anëtar i 'Bindjes Demokratike'. Po përgatisim dokumentacionin, nesër e dorëzojmë në gjykatën" tha ai.

Fillimisht u lakua emri i Rudina Hajdarit si kryetare e partisë, por vajza e Azem Hajdarit, aktualisht kryetare e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë e mohoi. Burime për Report Tv pohuan se Astrit Patozi, ish-n/kryetar i PD-së në kohën e Berishës do të drejtojë partinë 'Bindja Demokratike'.

Pak kohë më parë ai ndërmori edhe një lëvizje për “Ringritjen e Partisë Demokratike”, që synonte demokratizimin e kësaj force politike, ndërsa nesër zyrtarizon partinë në gjykatë. Patozi i njohur për divergjencat e forta me kryetarin aktual të PD-së, pritet që të mbledhë në subjektin e ri 'gardën' e vjetër që u largua nga Lulzim Basha para zgjedhjeve të qershorit të 2017, por edhe të zhgënjyerit nga lidershipi i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.