Nga Ankaraja, Rama zbulon projektet madhore shqiptaro-turke: Fabrikë prodhimi vaksinash, qendër kombëtare e teknologjisë së lartë!

3 Qershor 2021, 22:04 | Përditesimi: 3 Qershor 2021, 22:04

Nga Turqia, ku po zhvillon një vizitë dyditore, kryeministri Edi Rama ka zbardhur edhe bisedat që ka zhvilluar në lidhje me projektet e bashkëpunimit me palën turke, me investitorë në fushat të ndryshme të rëndësishme si teknologjia digjitale, turizëm, farmaceutikë, energji e transport.

Rama thekson se është zhvilluar një diskutim i detajuar me sipërmarrje të ekselencës turke për ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave, si zemra e një qendre të klasit të parë të prodhimit farmaceutik. Së dyti kreu i qeverisë shkruan se është diskutuar për Teknopark Albania, një qendër e teknologjisë së lartë në periferi të kryeqytetit, për kompanitë HighTech, Start Up-et e kërkimin shkencor.

Një pikë tjetër diskutimi është zhvilluar mbi sistemin e kontrollit të territorit të vendit tonë me dronë superinteligjentë, për rendin publik. Rama e përbyll postimin duke shkruar se është diskutuar edhe për programin e mandatit të tretë për infrastruktrën kombetare.

‘ Ditë bashkëbisedimesh të detajuara me sipërmarrje të ekselencës turke për:

Ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave, si zemra e një qendre të klasit të parë të prodhimit farmaceutik

Teknopark Albania, një qendër e teknologjisë së lartë në periferi të kryeqytetit, për kompanitë HighTech, Start Up-et e kërkimin shkencor, sipas modelit të suksesshëm të jetësuar në Turqi, si katalizator i transformimit ekonomik e social dhe krijimit të vendeve cilësore të punës për të rinjtë

Sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik natyrisht e të tjera akoma

Programin e Mandatit të Tretë për infrastruktren kombetare’- shkruan Rama.

b.ha./Shqiptarja.com