Nis pastrimi i liqenit të Kukësit nga mbeturinat, ministri Klosi: Aksioni Shqipëri–Kosovë na bashkon më shumë

26 Qershor 2021, 21:15 | Përditesimi: 26 Qershor 2021, 21:15

 

 Me moton "Lundro dhe Pastro", Shqipëria e Kosova kanë nisur të pastrojnë mbeturinat në ujërat e Fierzës e Vërmicës dhe mjedisin në të dy anët e kufirit të përbashkët. Ministri i turizmit Blendi Klosi i shoqëruar nga dy ministra të Kosovës tha se aksioni i pastrimit jo vetëm ndikon në rritjen e turizmit por edhe bashkon më shumë dy shtetet. “Në kuadër edhe të sezonit turistik jemi së bashku për të dhënë një mesazh, që jemi bashkë, jemi një destinacion, kemi një mjedis, një natyrë, një destinacion turistik dhe prandaj duhet të jemi të gjithë në një anë, me një vullnet që ta mbajmë shqiptarinë pastër”, u shpreh Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj e konsideroi aksionin si fillimi i bashkëpunimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me Forcat e Armatosura të Shqipërisë. “Liqeni ka pasur nevojë për pastrim edhe më herët, por ne do të vazhdojmë më tej me Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe me Ushtrinë e Kosovës ti mbështesim këto aksione, natyra nuk ka ndarë kurrë asnjë popull, e sidomos kombin dhe popullin tonë”, tha Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes së Kosovës.