Ka nisur në Berat Viti i ri shkollor 2024-2025. Mësohet se për shkak të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare "22 Tetori", nxënësit e kësaj shkolle do ta zhvillojnë mësimin në gjimnazin "Bab Dud Karbunara", paradite nxënësit nga klasa e parë në klasën e katërt dhe pasdite ata nga klasa e pestë në klasën e nëntë.
Këtë vit në rrethin e Beratit kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe private).
Numri total i nxënësve në këto shkolla është 6470 nxënës, ndërkohë që në bankat e shkollës ulen për herë të parë 458 vogëlushë në klasën e parë. Edhe kopshtet e çerdhet kanë hapur sot dyert për të pritur vogëlushët. Në Berat 1000 fëmijë frekuentojnë kopshtet në qytet e fshat dhe 256 fëmijë frekuentojnë çerdhet. Shifrat janë bërë të ditura nga Drejtoresha e Arsimit në bashkinë Berat,Klodjana Hoxha.