Një pistoletë shitej deri në 2500 euro, detaje nga operacioni në Tiranë! Grupi dyshohet se ka bazë në Burrel! Si ranë në ‘kurth’ me blerje të simuluara

30 Maj 2025, 11:35 | Përditesimi: 30 Maj 2025, 11:35

Grupi kriminal i trafikut të armëve i goditur nga Antitrafiqet e Tiranës i sillte armët nga Kosova me makina rasti, të cilat janë dokumentuar, por dyshimet janë edhe për përdorim të autobusëve të linjave. Pistoletat e kapura shiteshin në disa qytete, përfshirë Tiranën, Shkodrën dhe me gjerë me 1500-2500 euro copë. Njëra prej tyre, me silenciator, do të shitej të paktën 3000 euro.

Për dokumentimin e veprimtarisë kriminale u kryen edhe blerje të simuluara. Operacioni për arrestimin e personave të përfshirë në trafik armësh u zhvillua në 2 lokale, në Vorë dhe Laprakë në Tiranë. Nga hetimet e deritanishme, hetuesit dyshojnë se grupi ka një bazë në Burrel, për të cilën vijojnë kërkimet. Armët do të ekspertohen në laborator nëse janë përdorur më herët në krime të tjera.

r.k./Shqiptarja.com