Janë rrëfime të sjella mbi elemente të veshjeve tradicionale të zonës së Elbasanit dhe mbi vargje poezish. Ato vijnë për publikun në formën e një ekspozite të veçantë të artistit Francesko Berati nga pakica egjiptiane.
“Këto elemente janë marrë kryesisht nga sako, nga xhybja me dragua, nga jeleku i grave të zonës dhe janë punuar me teknikë të re, që quhet taftingan dhe punohet me fije leshi dhe krijon volume të ngritura. Duke marrë këto motive mendova që të fusja edhe këngët e qytetit, sepse ne kemi pasur kompozitorë të shquar, si: Mustafa Bodini dhe Isuf Myzyri. Kam zgjedhur këngë të vjetra me shkrimin e tyre dhe i kam punuar me serigrafi”, thotë Françesko Berati.
“Rrëfime të endura” është çelur mbrëmjen e së hënës në “Parking Art Gallery” në Tiranë dhe sipas kuratorëve të saj, Armela Lamajt dhe Sead Kazanxhiu, ekspozita është një ftesë për të parë qëndrueshmërinë kulturore dhe një testament artistik i diversitetit kulturor në vendin tonë.