Këto janë pamjet e reja nga shpërthimet e telekomanduara të eksplozivëve të montuar në grupin e mini-celularëve të shpërndarë për organizatën Hezbollah dje në Liban, më 17 Shtator (që funksionojnë edhe si radio komunikimi).
Momenti fatal kur shpërthen një tjetër telefon bombë në ambientet e një dyqani, teksa një grua është duke punuar. Panik total, tym, zhurmë, ulërima dhe sigurisht të lënduar e shkatërrime.
Video e publikuar nga rrjeti televiziv “News Nation” ditën e sotme (18 Shtator), tregon edhe pasojat e shpërthimit të organizuar, që është aktivizuar në të njëjtën kohë nëpërmjet një kodi sekret që kanë pasur telefonat, (për të cilën ekspertët e kibernetikës po punojnë ta zbulojnë se si).
Dyshimet janë se aparatet kanë pasur të instaluar brenda tyre një program sekret që merrte komandë të njëkohshme dhe ishin të lidhura mes tyre në rrjet, duke aktivizuar eksplozivin e vendosur.
Deri tani mediat ndërkombëtare raportojnë se të paktën 9 persona u vranë (disa media shkruajnë për rreth 15 viktima) dhe mijëra të tjerë u plagosën pas një sulmi të koordinuar që shkaktoi shpërthimin e telefonave sekretë apo pajisjeve të komunikimit të përdorura nga Hezbollahu, nga ku anëtarët merrnin komanda. Numri i shpërthimeve deklarohet 10 mijë shpërthime. Por zyrtarisht deri tani janë raportuar 3 mijë të plagosur, nga të cilët 200 me lëndime serioze dhe që po trajtohen nëpër spitale.
Tracy Walder, një ish-oficere e CIA-s dhe FBI-së, thotë se “sulmi do të ketë një ndikim psikologjik mbi grupin terrorist për dekada dhe ata do të duhet të gjejnë mënyra të reja për të komunikuar”.
Hezbollah dhe Libani kanë fajësuar Izraelin se qëndron pas këtij sulmi, teksa po ndiqen gjurmët e rrjetit ku janë prodhuar, kush i shiti dhe shpërndau tek anëtarët dhe cili prej tyre është “nishani” që Mossad ka përdorur.