TIRANË - Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por përmes studios ligjore të bashkëshortes së tij, prokurori Arjan Ndoja qëndron edhe pas çështjes së bujshme të një toke në Gjirin e Lalzit, e cila u bë shkak për dhunimin në mënyrë barbare të një biznesmeni libanez që Bashkia e Durrësit i kishte dhënë leje të ndërtonte një resort në një pronë shtetërore. Por kryegjyqtarja e Durrësit, Joana Qeleshi, tashmë e dorëhequr pa kaluar në vetting, e kaloi në pronësi të një të moshuari 75-vjeçar, që mbrohej në këtë proces nga studio e avokatisë së bashkëshortes së prokurorit Arjan Ndoja.
I ftuar në emisionin "Repolitix" në Report Tv të moderatorit Denis Minga, gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, tha se pas të moshuarit, Pal Seçuni, qëndron Landi Muharremi, i njohur si "Rrumi" dhe etiketuar i forti i Sukthit, që ishte në makinë me prokurorin Arjan Ndoja kur këtij të fundit ju bë atentat katër ditë më parë në mbikalimin e Shkozetit.
Gazetari Qyno tha se pas fitores në gjyq, 75-vjeçari ja shiti tokën 45 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit disa personave që kanë lidhje me Muharremajt në Sukth. Pikërisht ky gjyq u bë shkak për dhunën ndaj biznesmenit libanez Faad Mitri në shtatore 2016, pas të cilit asnjëherë nuk u faktua me prova që fshihej "Rrumi", edhe pse u dyshua për sulmin, ngjarje që detyroi biznesmenin të largohej nga Shqipëria dhe të hiqte dorë nga investimi në zonën mjaft të zhvilluar turistike.
Gazetari tha ndër të tjera se ndaj prokurorit Arjan Ndoja ka një hetim të hapur në lidhje me dhunimin e avokatit Ilia Ilia në Durrës në korrik të 2018-ës. Ndërsa sa i përket dosjeve që u gjetën në makinën e prokurorit nga ekzaminimet pas atentatit, gazetari Elton Qyno tha se një pjesë e tyre janë të studios ligjore të bashkëshortes së tij, por nuk përjashtohet që të jenë edhe dokumente nga dosjet që u vodhën në 2018-ën në Prokurorinë e Durrësit, disa prej të cilave edhe për çështje pronash.
Për atentatin ndaj prokurorit, dy netë më parë, por që u bë publik vetëm këtë të martë, u vu në pranga Redjan Rraja, kushëriri i deputeti socialist Rrahman Rraja, i dyshuar si një nga personat që qëlloi me breshëri automatiku ndaj makinës në ecje ku prokurori udhëtonte me shoferin e tij, Andi Maloku, ish-efektiv policie, Landi Muharremin, teksa mbetën të tre të plagosur.