'Padia' e parë në KQZ për 25 prillin, LSI kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Dropull, ankimon rezultatin në Qarkun e Gjirokastrës

7 Maj 2021, 17:05 | Përditesimi: 7 Maj 2021, 17:05

Vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit. Kështu ka argumentuar në ankimimin e parë për rezultatin e zgjedhjeve në KAS, për Qarkun e Gjirokastrës, Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kërkon që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet në Bashkinë Dropull, gjë që ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve për Qarkun e Gjirokastrës.

Në ankimimin, LSI sqaron KAS se urdhëri për 'vetëkarantinimin e detyrueshëm', për një periudhë dy javore për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia ka ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit në zonën zgjedhje Qarku Gjirokastër. 

Pikërisht kjo masë, arsyeton LSI, e propozuar dhe e marrë 4 ditë përpara datës së zgjedhjeve, ishin akte të formësuar nga vullnet jo objektiv, por i orientuar politikisht e që solli si pasojë direkte negative pengimin e këtyre qytetarëve për të ushtruar të drejtën e tyre. Ky orientim u pa qartë sipas LSI, me anulimin me datë 3 muaj 2021 të këtij urdhri, pak ditë pas mbarimit të zgjedhjeve.

Sipas ankimimit të bërë nga ky subjekt zgjedhor, në baze të votave të dala në zgjedhjet e 25 prillit, shifrat tregojnë se Urdhëri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka pasur si qëllim të godasë politiksht, drejtëpërdrejt Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas LSI ky fakt reflektohet se dhe në rezultatin zgjedhor.

Më tej theksohet në ankimimin e LSI se ky fakt reflektohet se dhe në rezultatin zgjedhor. Sipas LSI nëse shtetasit shqiptar që jetojnë në Greqi nuk do të ishin penguar për të votuar shpërndarja e mandateve në Qarkun e Gjirokastrës do të ishte 2 PS, 1 LSI dhe 1 PD. Në ankimimin e LSI, theksohet se një anëtare e QV-je e PS-së dhe një numërues votash kanë ardhur nga Greqia në 19 prill .

Ndërkohë që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se me vigjilencë dhe qetësi do t'i shkojnë deri në fund zbardhjes së të vërtetës.

b.ha./Shqiptarja.com