Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi i cili u shreh se Maqedonia duhet të trajtohet veç nga Shqipëria lidhur me procesin e hapjes së negociatave duke nënkuptuar se paketa dyshe mund të dëmtojë vendin e tij në këtë proces.
Kreu i qeverisë thotë se kjo qasje është e çuditshme për sa kohë konsiderohet kontributi kyç i Shqipërisë në zhvillimet demokratike të shtetit mik, gjë e cila sipas tij nuk duket as e drejtë e as praktike.
"Presidenti Pendarovksi nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë&shqiptarëve në zhvillimet demokratike&rrugën europiane të shtetit mik.S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!", shkuran Rama.
Dy ditë më parë presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se Shqipëria është në rrëmujë dhe kjo gjë mund të dëmtojë edhe vendin e tij siç ka ndodhur edhe më parë.
"Problemi më i madh tani është çkyçja me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe jemi çarmatosur ", u shpreh Pendarovski.
Komisioni Europian rekomandoi në datë 29 Maj të këtij viti hapjen e negociatave pa kushte, për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në prezantimin e progres-raportit për ecurinë e vendit tonë në sajë të 5 prioriteteve kyçe për negociatat, eurokomisioneri Johannes Hahn tha se Shqipëria ka bërë progres, dhe ka përmbushur reforma të cilat duhen shpërblyer nga Bashkimi Europian.