Pamje EKSKLUZIVE/ Me maskë antiCOVID, të qetë dhe të përgatitur... Ja si vidhen biçikletat në Tiranë

8 Maj 2021, 15:59 | Përditesimi i fundit: 2021-05-08 16:00:32

Dy të rinjtë fillimisht hynë qetësisht në lokal dhe pinë kafe së bashku. Njëri prej tyre mbante atlete dhe pantallona të zeza, triko gri, çantë të zezë, kapele të kuqe dhe një maskë antiCOVID, deri poshtë mjekrës. I dyti shfaqet duke pirë ujë, me atlete të zeza, pantallona bezhë, xhup të zi, me flokë të prera shkurt dhe i pa maskuar. Njëri pas tjetrit dalin nga ambienti i lokalit dhe destinacioni i radhës është parkingu i pallatit, tek i cili kanë një mision shumë të veçantë. Në katin e nëndheshëm të një pallati në afërsi të Medresesë në kryeqytet, pranë një qendre tregtare, të rinjtë hyjnë të qetë dhe të pa ngacmuar nga askush. Synimi është vjedhja e biçikletave në brendësi të këtij parkingu. Siç shikohet nga pamjet njëri prej tyre afrohet tek vendi ku janë të lidhura shumë biçikleta, ndërsa tjetri ngjit shkallët për t’u siguruar që askush nuk ishte aty dhe do të punonin të qetë.Nga çanta nxjerr materialet e nevojshme që duhen për të këputur çelësin. Ndërkohë që miku i tij ruan tek shkallët, arrin të këpus çelësin e parë. Pak çaste më vonë bashkohet edhe i dyti, i cili këput çelësin e dytë. Fusin edhe njëherë të gjitha materialet në çantë, marrin dy biçikleta dhe nisen. Dy hajdutët shfaqen sërish në pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit teksa dalin nga parkingu hipur mbi biçikletë dhe largohen bashkë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur mesditën e 26 prillit, ndërsa dy hajdutët janë denoncuar në polici. Pavarësisht denoncimit, policia akoma nuk ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e tyre, pavarësisht se fytyrat janë lehtësisht të dukshme në pamjet e kamerave të sigurisë. Njëlloj si vjedhja e këtyre dy biçikletave, në komisariatet e Tiranës bëhen me dhjetëra denoncime të ngjashme në ditë. Një pjesë e tyre arrihen të zbardhen nga policia edhe me ndihmën e kamerave të sigurisë nuk kanë munguar edhe arrestimet, por çështjet e tyre pushohen kryesisht në prokurori. Vjedhja e biçikletave është kthyer në fenomen shqetësues, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve janë autor përdorues të lëndëve narkotike