Partizani madhështor, mposht Teutën në Durrës! Titulli enigmatik, Laçi dhe Vllaznia rikthehen fuqishëm

17 Maj 2021, 21:02 | Përditesimi i fundit: 2021-05-17 21:11:09

Partizani është ringjallur në përballjen më deçizive të këtij sezoni të Superligës. Të kuqtë kanë fituar 0-1 kundër Teutës, që sot kishte shansin të mbyllte llogaritë për kampionatin në rast fitoreje. Në Niko Dovana vendosi goli i Erald Çinarit i kombinuar me një gabim të rëndë të Stivi Frashërit. Falë kësaj fitoreje Partizani është ngjitur në vendin e parë me 62 pikë, po aq sa Teuta e vendit të dytë, që ka disavantazhin e ndeshjeve direkte.

Ndërkohë fitorja e Partizanit ka rikthyer në garë për titull edhe Laçin me Vllazninë. Skuadra kurbinase e Shpëtim Duros falë fitores 0-1 në kryeqytet kundër Tiranës ka shkuar në kuotën e 60 pikëve. Golin e fitores e realizoi Mentor Mazrekaj me goditje dënimi. Sakaq po me 60 pikë është edhe Vllaznia, që sot mposhti minimalisht 1-0 Kastriotin, që nga ana tjetër rrezikon shumë për të zbritur nga kategoria.

Pas javës së 34 të kampionatit vendi i parë që mbahet nga Partizani dhe i katërti nga Laçi ndahen me vetëm dy pikë.

Në ndeshjet e tjera Skënderbeu ka mposhtur pastër 2-0 Apoloninë, duke u ngjitur për herë të parë në vendin e shtatë, ndërsa Kastrioti është ajo që ka rënë në ‘play-of’ për të dalë nga kategoria aktualisht. Sfida tjetër e ditës së sotme është fituar 2-1 me përmbysje nga Kukësi kundër Bylisit.