Pas 3 vitesh mungesë/ Nga sot Gjykata Kushtetuese funksionale, emërohet Përparim Kalo, anëtari i 6!

23 Dhjetor 2020, 20:40

Duke filluar nga sot mund të thuhet se Shqipëria ka më në fund një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Presidenti Meta ka emëruar gjyqtarin e gjashtë, Përparim Kalon. Për të marrë detyrën z. Kalo do të duhet të betohet në Presidencë por me emërimin e tij tashmë Shqipëria ka arritur një prej kërkesave më të forta të ndërkombëtarëve, plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenca bën me dije se Meta ka administruar sot nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar nga KED me pikëzimin si më poshtë Përparim Kalo 90.29 Pikë dhe Aleksandër Tomës 75.57 Pikë. Kështu Meta ka zgjedhur të emërojë atë që është renditur më lart nga KED.

Në lidhje me këtë lajm të rëndësishëm reagoi edhe ambasadorja Yuri Kim, e cila e konsideroi një hap gjigant përpara. 

Kujtojmë se KED i dërgoi në Presidencë paraditen e sotme emrat e Aleksandër Tomës dhe Përparim Kalos. Ky emërim i Kalos nga Presidenti vjen pasi dje është betuar Altin Binaj, anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese, i cili u zgjodh nga Kuvendi seancën e së enjtes së kaluar.

Kujtojmë se vendimarrja në Gjykatën Kushtetuese bëhet me një kuorum prej 6 anëtarësh ndërkohë që duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, e cila edhe ajo nuk është funksionale.

Përveç Kalos votimin e Binajt, Gjykata Kushtetuese ka edhe katër anëtarë të tjerë si Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.