PD akuza Doshit, bleu vota me para e kërcënoi votuesit në njësinë 4 në Tiranë! E kallëzuan në SPAK

9 Maj 2021, 13:00

Partoia Demokratike ka hedhur sot akuza ndaj Tom Doshit se ka blerë vota dhe ka kërcënuar votuesit në njësinë 4 në Tiranë dhe se për të është bërë edhe një kallëzim në SPAK. Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, thotë se kallëzimi në SPAK për Doshin është bërë që tre javë para zgjedhjeve, por shton se Prokuroria e Posaçme nuk hetoi, duke e akuzuar se lejoi deformimin e votës.

"Prej më shumë se një muaji, Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit” për Tom Doshin, Filip Gjeloshin dhe Pal Gjeloshin dhe çdo person tjetër të paidentifikuar nga ana e jonë.

Megjithëse kishte 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave. Sot, ne po vëmë në dijeni opinionin publik se cilët janë personat e përfshirë në masakrën elektorale të 25 Prillit në qarkun e Tiranës dhe atë të Shkodrës duke përfshirë kallëzimin e dorëzuar në SPAK 3 javë përpara ditës së zgjedhjeve", thotë Alibeja.

Sipas tij, Tom Doshi, sëbashku me dy personat e tjerë ndërtuan "një skemë kriminale" të blerjes së votës. Po ashtu, Alibeaj shton se secilit prej të punësuarve në bizneset e kandidatit Doshi i është kërkuar prerazi të votojë dhe të sigurojë 20 emra dhe karta ID si vota të sigurta për Doshin, përndryshe do të pushoheshin nga puna.

"Këta persona kishin krijuar një skemë kriminale të blerjes së votës, shantazhimit të votuesve dhe mbledhjes së kartave të identitetit që vepron në Njësinë nr. 4 në Tiranë, Rruga “Siri Kodra”, Allias dhe Babrru. SPAK u njoftua përmes kallëzimit tonë se Tom Doshi i shpallur non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Filip Gjeloshi dhe Pal Gjeloshi, elementë kryesorë të botës së krimit në Tiranë, të përfshirë në vepra penale si vrasje, rrëmbim personi dhe shumë të tjera, janë duke blerë vota në favor të kandidatit Tom Doshi. Secilit prej të punësuarve në bizneset e kandidatit Doshi i është kërkuar prerazi të votojë dhe të sigurojë 20 emra dhe karta ID si vota të sigurta për Doshin, përndryshe do të pushoheshin nga puna", shton ai.