PD thyen bojkotin/ Nesër në tryezën gjithëpërfshirëse të OSBE për Reformën Zgjedhore...vetëm me ekspertë

24 Shtator 2019, 17:45

TIRANE - Partia Demokratike vendos të thyejë 'bojkotin' dhe të marrë pjesë në tryezën e organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore. Teksa lideri demokrat Lulzim Basha kishte refuzuar më herët ftesën për në tryezën gjithëpërfshirëse, në një takim këtë të martë me aleatët e opozitës së bashkuar, përfshirë kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, dolën me vendimin për të marrë pjesë në konferencën për zgjedhoren, por vetëm në nivel nivel ekespertësh. Gazetari i Report Tv Elis Memelli raporton se përfaqësuesit e opozitës do të jenë Ivi Kaso nga PD, Muharrem Cakaj nga LSI dhe Arian Madhi nga PR. 

Në një dalje për media kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se opozita e bashkuar po punon për përgatitjen e një pakete “antikrizë”. 

Ndërkohë menkëherë pas këtij vendimi që opozita e bashkuar mori në mbledhjen me dyer të mbyllura në selinë blu, në zyrën e kryedemokratit Lulzim Basha mbërriti ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.

Ky vendim vjen pas ultimatumit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përmes të dërguarit të posacëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer i kërkuan opozitës shqiptare, jo parlamentare që të ulet në dialog me qeverinë për të miratuar reformën e re zgjedhore. Zyrtari i lartë amerikan u shpreh menjëherë pas refuzimit të ftesës së OSBE që i bëri Basha, se SHBA nuk zgjedh fitues dhe humbës në lojën politike, prandaj kërkon dialog që zgjedhjet e reja të zhvillohen mbi bazën e reformës së re zgjedhore.

OSBE ka thirrur më (25 shtator), një konferencë në kuadër të Reformës Zgjedhore, ku ftoi të gjitha partitë poitike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionin e Venecias.

Refuzimi i parë i opozitës u bë me argumentin se duhet që fillimisht të zgjidhet kriza politike, dhe më pas të diskutohet për këtë Reformë.  Ato vunë si kusht, largimin nga posti i bashkë-kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri. Ky i fundit u tregua i gatshëm që të rishohë pozicionin e tij, por sërish nuk parti dakordësi nga opozita jashtë parlamentare.