‘Për në qendër djathtas, në Astir nga tuneli’, mungon tabela paralajmëruese te ish-Sheshi Shqiponja, kaos dhe trafik, qytetarët: E vështirë të gjejmë rrugën, na çmendën

6 Shtator 2021, 13:59 | Përditesimi i fundit: 2021-09-06 15:42:47

TIRANË- Mungesa e sinjalistikës paralajmëruese në hyrje të tuneleve në ish-sheshin ‘Shqiponja’, ka sjellë një kaos në trafik, por edhe duke u shndërruar në një burim aksidentesh. Shoferët që vijnë nga Durrësi e kanë pasur shumë të vështirë që të gjejnë tunelin që duhet të kalojnë për të shkuar në destinacionin e tyre.

Report Tv me gazetarin Arsen Rusta ka bërë një panoramim të situatës së krijuar në ish- Sheshin ‘Shqiponja’, ku hapja e tunelit numër 5, pak ditë më parë, nuk ka sjellë një lehtësim të trafikut, përkundrazi. Për të shkuar në qendër, qytetarët duhet të kthehen djathtas, e ndërsa për të ikur në ‘Astir’ duhet të kalojnë në tunel, ndërkohë që më parë ka qenë e kundërta. Për këtë ndryshim që është bërë, qytetarët nuk njoftohen me anë të tabelave të paktën 250 metra, siç parashikohet në Kodin Rrugor, por janë të vendosura pikërisht në hyrje të tunelit. Kjo ka bërë që qytetarët të kryejnë manovra të rrezikshme.